Shqipëria është afër që të shkruajë historinë sërish, ndërsa arkitekt i suksesit vlerësohet të jetë përzgjedhësi brazilian, Sylvinho.
Kështu ka shkruar gazeta prestigjioze spanjolle “AS” të shtun të shtunën.
Në vetëm gjashtë ndeshje, Sylvinho ka ndryshuar fytyrën e ekipit të Shqipërisë, që është vetëm një hap larg Evropianit 2024 në Gjermani.
Në rast të kualifikimit në Evropian, për Shqipërinë do të ishte hera e dytë, pas pjesëmarrjes në Evropianin 2016. E arritur historike për “kuqezinjtë”.
Ish-futbollisti i Corithiansit, Arsenalit, Celtas, Barcelonas e Manchester Cityt e ka marrë drejtimin e Shqipërisë që nga fillimi i këtij viti.
Në ndeshjet e fundit ka qenë më i suksesshëm se Republika e Çekisë, Polonia, Ishujt Faroe e Moldavia.
Falë katër fitoreve, një barazimi e një disfate, Shqipëria i prinë Grupit E me 13 pikë, katër më shumë se Polonia e vendit të dytë.
Në vendin e tretë dhe të katërt janë Republika e Çekisë dhe Moldavia me nga tetë pikë. Ishujt Faroe në vendin e fundit janë me një pikë.
Edhe një fitore do t’i siguronte kalimin në Evropian direkt nga vendi i parë.
Ndeshjen e radhës në kualifikime, Shqipëria e luan kundër Moldavisë në udhëtim, më 17 nëntor. Tri ditë më vonë, ciklin eliminator të Evropianit të vitit të ardhshëm, e mbyll në “Air Albania” në Tiranë me duelin kundër Ishujve Faroe.
Do të ishte sukses madhor për Shqipërinë e veçanërisht për Sylvinhon dhe asistentin e tij, Pablo Zabaletan, në eksperiencën e tij të tretë të madhe si trajner.
Pak kohë si trajner, Sylvinho kaloi tek Olympique Lyoni dhe Corinthiansi. Të dyja këto aventura nuk ishin të suksesshme.
49-vjeçari Sylvinho si lojtar ka karrierë të pasur. Në vitin 2010 vari këpucët në gozhdë si futbollist i Manchester Cityt.
Ka punuar edhe si asistent i Tites dhe Mano Menezesit, ndërsa ishte edhe në stafin e Roberto Mancinit. Këto eksperienca kanë bërë që ai ta befasojë edhe gjithë Evropën me Shqipërinë.
Shqipëria asnjëherë nuk ka luajtur në një Kupë të Botës.
Por me sukseset e arritura së fundmi në skenën evropiane, ëndrra për një Botëror mbetet e hapur.
“AS” ka shkruar po ashtu edhe se Sylvinho këtë nuk ka mundur ta arrijë i vetëm, por ka përmendur disa prej lojtarëve. Ka shkruar për sulmuesin e Granadas, Myrto Uzunin, mbrojtësin e Lazios, Elseid Hysajn, si dhe mesfushorin e Interit, Kristjan Asllanin, që e ka vlerësuar si lider modest të ekipit. Ka përmendur edhe lojtarët që bëjnë karrierë në Spanjë, Ivan Balliun te Rayo Vallecano dhe Keidi Baren e Espanyolit. Por Shqipëria llogaritë në supergolat e Jasir Asanit si dhe në kontributin e Nedim Bajramit, Taulant Seferit e të tjerëve.
“Një grup i bashkuar që dëshiron të lërë gjurmë në Gjermani verën tjetër”, e ka përfunduar gazeta spanjolle shkrimin për Sylvinhon.
Shqipëria këtë muaj do të zhvillojë edhe një tjetër ndeshje.
Pas fitores së madhe ndaj çekëve, tani kanë nisur përgatitjet për duelin kundër Bullgarisë, që luhet të martën në “Air Albania” në orën 18:00.
Sidoqoftë, ndaj Bullgarisë është ndeshje miqësore dhe do të provohen lojtarët e rinj, që nuk kanë pasur minutat në duelet e kaluara.