Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tottenhami me ofertë për Ziyechun

Hakim Ziyech do të largohet nga Chelsea këtë verë, por jo edhe nga kampionati i Anglisë. “Sky Sports” raporton të hënën se marokeni pritet t’i bashkohet skuadrës së Tottenhamit.

Mësohet se Tottenhami është favorit për shërbimet e tij, pasi tashmë i ka bërë Chelseat ofertë zyrtare. Për transferimin e sulmuesit të krahut në fund të këtij sezoni, Tottenhami ka ofruar 20 milionë euro. Ziyech do të largohet nga Chelsea, pasi ishte pranë largimit nga ekipi londinez edhe në afatin kalimtar të janarit.

Këtë sezon, 30-vjeçari ka një asistim në 19 paraqitje në të gjitha garat dhe nuk bën pjesë në planet e klubit për të ardhmen. Ai ka kontratë me Chelsean deri në verën e vitit 2025.