Mesfushori francez Tanguy Ndombele do të largohet nga Lyoni për të vazhduar karrierën në Premier League, te Tottenhami, kanë njoftuar të mërkurën mediumet angleze.
Tottenhami ka arritur marrëveshje me Lyonin për transferimin e Ndombeles, pasi do të paguajë 68 milionë euro dëmshpërblim.
Ndombele 22-vjeçar, do të firmos kontratë pesëvjeçare me Tottenhamin dhe do të jetë përforcim i parë për ekipin anglez pas një viti.
Prezantimi i tij pritet të bëhet gjatë kësaj jave. Ndombele, në edicionin e fundit ka pasur paraqitje të mira dhe është kërkuar nga shumë skuadra të mëdha të Evropës.
Në 49 ndeshje me Lyonin në të gjitha garat, ka shënuar tre gola dhe ka asistuar tetë herë. Ka katër ndeshje me Francën.