Skuadra e Torinos ka shprehur interesim për portierin e Përfaqësueses së Shqipërisë, Thomas Strakosha. Lajmi është bërë i ditur të martën nga sajti italian “Tuttomercatoweb”.
Bëhet e ditur se krerët e Torinos po monitorojnë situatën e Strakoshës, i cili ka refuzuar rinovimin e kontratës me Lazion, duke paralajmëruar largimin në fund të këtij sezoni si lojtar i lirë.
Te Torino, po e shohin Strakoshën si opsion të mirë duke pasur parasysh edhe përvojën e tij që e ka në kampionatin italian. 27-vjeçari prej vitit 2013 është pjesë e ekipit të parë të Lazios, ndërsa për një edicion ka qenë i huazuar edhe te Salernitana.
Këtë sezon, Strakosha ka regjistruar 23 paraqitje për Lazion në të gjitha garat. Në rast të transferimit te Torino, Strakosha do të bashkohej me Etrit Berishën, i cili është pjesë e këtij ekipi.