Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Topalli nga Ballkani kalon në Superligën e Turqisë

Jetmir Topalli ka nënshkruar kontratë trevjeçare me skuadrën e Superligës së Turqisë, Yeni Malatyaspor.

Futbollisti i lindur në Kaçanik e që në Kosovë karrierë bëri me 2 Korrikun, Vushtrrinë dhe së fundmi Ballkanin, e kompletoi kalimin e tij në elitën e futbollit të Turqisë të enjten në mbrëmje. Ishte pjesë edhe e Feronikelit verën e kaluar në garat parakualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës.

22-vjeçari në gjithë edicionin 2019/20, ka luajtur 38 lojë, derisa ka kontribuuar me tetë gola e një asistim. Është shprehur shumë i lumtur që i është bashkuar këtij ekipi.

“Përshtypjet e para janë shumë të mira, jam shumë i lumtur që jam pjesë e tyre. Falënderoj presidentin e Ballkanit, Arsim Kabashin, dhe presidentin e klubit, Yeni Malatyaspor, për gjithçka që ka ndodhur këto ditë”, kanë qenë fjalët e para të Topallit, pas nënshkrimit të kontratës.

Megjithatë, sulmuesi i krahut asnjëherë nuk e ka menduar se për një kohë kaq të shkurtër do të mbërrijë kaq shumë në karrierë.

Edhe Topalli i bashkohet Manisasporit Sport Topalli i bashkohet Manisasporit

“Të them të drejtën nuk e kam pritur që do të ngrihem kaq shumë në karrierë. Falënderoj Zotin për mundësinë dhe gjithashtu personat që më kanë ndihmuar e që është një listë e madhe, por një ditë do t’i përmend të gjithë. Më duhet të jap maksimumin si gjithmonë dhe më pas të më shpërblehet puna me ndihmën e Zotit”, ka thënë ai.

“Shpresoj që të kem shëndet, fat dhe shpresoj që një ditë të marr ftesën edhe nga Kombëtarja jonë e Kosovës”, përfundoi Topalli.

E me transferimin e Topallit te skuadra e elitës së futbollit të Turqisë, i lumtur është shprehur edhe menaxheri i 22-vjeçarit, Driton Bajrami.

“Jam shumë i gëzuar që është arritur një transferim i tillë për Jetmirin. Jetmiri e ka dëshmuar veten si futbollist në Superligën e Kosovës. Për të ka pasur shumë oferta nga klubet e tjera, turke e gjermane, por kjo ka qenë më e mira për Jetmirin. Shpresoj që të ketë sa më shumë suksese”, ka thënë Bajrami për KOHËN.

Edhe Golat ndaj Fenerbahçes mund ta dërgojnë Topallin në nivel më të lartë Sport Golat ndaj Fenerbahçes mund ta dërgojnë Topallin në nivel më të lartë

Skuadra e Yeni Malatyasporit edicionin që lamë pas përfundoi në vendin e 16-të. Megjithatë, Federata e Futbollit e Turqisë vendosi që të mos ketë rënie nga elita, derisa Superligës turke i janë shtuar edhe tri ekipe.

Në Superligën e Turqisë, Malatyaspori bën gara që prej vitit 2017-të, ndërsa në edicionin që kaloi, ka luajtur edhe në kualifikimet e Ligës së Evropës.