Sport

Golat ndaj Fenerbahçes mund ta dërgojnë Topallin në nivel më të lartë

Golat nuk sollën pikë, por megjithatë janë të veçantë. Dhe mund të jenë me vlerë të madhe për të ardhmen e Jetmir Topallit në futboll.

Sulmuesi kosovar të dielën mbrëma realizoi dy herë ndaj skuadrës së madhe turke, Fenerbahçe. Skuadra e Topallit, Istanbulspor, pësoi me rezultatin 5:2 në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës së Turqisë në futboll.

24-vjeçari në dy situata dëshmoi se është i denjë për Superligën e Turqisë dhe se mund të përballet edhe me skuadrat më të mëdha. Futbollisti nga Kaçaniku ka shënuar tre gola në 11 paraqitje këtë edicion në elitën e Turqisë. Shpreson për gola të tjerë në vazhdim të edicionit.

“Për ndeshje me skuadra si Fenerbahçe nuk duhet shumë motivim, sa duhet qetësi. Motivimi është i lartë duke pasur parasysh që përballë i ke lojtarët që deri dje i ke shikuar në televizion. Do të thotë shumë për mua t’i shënoj gola një ekipi si Fenerbahçe. Më rrit si lojtar, më përmirëson dhe natyrisht je në syrin e të gjithëve”, ka thënë Topalli të hënën për KOHËN.

Istanbulspori është kthyer në Superligë. Edicionin e kaluar garoi në kategorinë e dytë, ndërsa Topalli kishte nëntë gola e pesë asistime në 30 paraqitje. Në edicionin 2020/2021 ai ishte tek Yeni Malatyaspor, ndërsa në 13 paraqitje realizoi një gol. Në Turqi ishte transferuar pas shkëlqimit te Ballkani. Në Kosovë ka luajtur edhe për skuadra të tjera.

“Me paraqitjet e këtij edicioni jam i kënaqur, por kam mundur të shënoj edhe më shumë gola. Kam mundur të reagoj më mirë në disa raste. Por ky është vetëm fillimi dhe do të tentoj në çdo lojë të jap gjithçka që të shënoj gola”, ka shtuar Topalli.

Istanbulspori është i parafundit në Superligë, ndërsa e pret betejë e madhe deri në fund për të mbetur në elitë.

“Me klubin synimet janë që të renditemi sa më lart në tabelë dhe të qëndrojmë në ligë. Na duhet stabilizim, pasi skuadra është kthyer pas disa vjetëve në Superligë. Në aspektin personal do të mundohem të jap maksimumin dhe në fund të edicionit shpresoj për ndonjë transfer, për hap para në karrierë”.

Topalli ka luajtur në tri miqësore me Kosovën, por deri më tani nuk ishte në planet e selektorit Alain Giresse. Golat ndaj Fenerbahçes mund të kthejnë vëmendjen kah ai.

“A e meritoj apo jo ftesën mbetet për t’u parë. E rëndësishme është që jam i koncentruar në lojë. Dua të përmirësohem dhe të rritem si lojtar. Të marr përvojë. Më pas çka do që vjen, unë jam i gatshëm të përballem me atë sfidë”, ka theksuar Topalli.