Sport

Toma do të luajë në Evropian me Zvicrën U-21, por nuk ka vendosur ende për përfaqësuesen e të rriturve

 

Prishtinë, 11 shkurt – Bastien Toma është një prej vetëm tre futbollistëve që kanë luajtur të gjitha ndeshjet kualifikuese për U-21 të Zvicrës për Evropianin e këtij viti. Zvicra është kualifikuar në Evropianin, që do të mbahet në dy terminë, ndërsa Toma pret që të ketë sukses.

Ndonëse do të luajë për Zvicrën në Evropianin U-21, mesfushori kosovar tregon se ende nuk ka vendosur se për cilën përfaqësuese do të luajë në nivelin e të rriturve (senior). Në një intervistë për KOHËN, Toma ka thënë se e “lë derën e hapur” për të ardhmen.

Kjo deklaratë e Tomës për KOHËN jep shpresë se ai në të ardhmen e afërt mund të luajë për Kosovën. Toma, 21-vjeçar, luan mesfushor qendror, pozitë pa shumë konkurrencë aktualisht te përfaqësuesja e Kosovës. Asnjë prej mesfushorëve aktualë të Kosovës nuk është në formën më të mirë. Dhe Toma, nëse eventualisht do të vendosë që ta përfaqësojë Kosovën, do të ishte kandidat i fuqishëm për përbërjen bazë të përfaqësueses së Kosovës.

Toma në shtator të vitit të kaluar u largua nga futbolli zviceran për ta vazhduar karrierën në Belgjikë te Genku. Kalimin nga Sioni te Genku e vlerëson hap të rëndësishëm para në karrierë. Genku aktualisht është i treti në elitën belge. Ai është i lindur në Sion të Zvicrës dhe ka luajtur për skuadrën me të njëjtin emër nga fillimi i karrierës. Në Superligën helvetike debutoi që në edicionin 2017/18 dhe luajti tri edicione në këtë ligë. Është vlerësuar me potencial të madh nga Sioni dhe, po ashtu, te përfaqësueset e moshave të Zvicrës. Ka luajtur për U-17, U-18 e U-19 të Zvicrës, ndërsa tani është tek U-21.

“Jam i kënaqur se si tani po ecin gjërat për mua te Genku. Në fillim ishte pak e komplikuar, nuk kam luajtur shumë, por kam punuar. Tash është mirë dhe shpresoj të vazhdoj njëjtë”, ka thënë Toma për KOHËN.

Deri në fund të dhjetorit mesfushori luajti pak. Këtë vit i ka luajtur tetë ndeshje kampionale dhe po fiton hapësirë gjithnjë e më të madhe. Në gjithsej 11 paraqitje në kampionatin belg ka një gol e një asistim. Të mërkurën mbrëma kompletoi një ndeshje për Kupë të Belgjikës.

“Mund të them se e kam gjetur formën që e kisha te Sioni. Kam qenë pak i lënduar, kurse tash jam në formë”, thotë mesfushori kosovar, që bën dallimin e dy kampionateve.

“Në Belgjikë intensiteti është më i lartë dhe luhet futboll shumë më fizik se në Zvicër. Për mua si lojtar teknik, është mirë pasi më ndihmon të zhvillohem”.

Ndonëse i rritur te Sioni, Toma ishte i përgatitur për largim nga kjo skuadër.

“E kam ditur se tërë karrierën nuk do ta kaloj te Sioni dhe në aspektin psikologjik isha i përgatitur. Por, pas muajit të parë në Belgjikë, ishte vështirë. Ishte vështirë t’i ndërroj vendin, kulturën, të jem larg familjes, shokëve. Tani jam përshtatur mirë, jam i lumtur”, ka theksuar Bastien Toma.

Faza grupore e Evropianit U-21 mbahet prej 24 deri më 31 mars. Faza nokaut zhvillohet prej 31 majit deri më 6 qershor. Zvicra është në grup me Portugalinë, Kroacinë e Anglinë. Synim i Zvicrës dhe i Tomës është avancimi në fazën nokaut.

“Jam i lumtur që do të marr pjesë. Shpresoj të shkojmë sa më larg që është e mundur. Jemi ekip shumë i mirë, me shumë lojtarë të mirë”, ka thënë Toma.

Te Zvicra U-21 janë edhe Toni Domgjoni, Andi Zeqiri, Nedim Bajrami, Kastriot Imeri e herë pas here edhe Amir Shaipi. Pos Tomës, të gjitha dhjetë ndeshjet kualifikuese i ka luajtur edhe Domgjoni, derisa Zeqiri është shquar me gola.

“Duke llogaritur edhe Evropianin U-21, kam pesë muaj të rëndësishëm para. Për momentin dua të koncentrohem te Genku. Dua të përfundoj edicionin mirë e pse jo edhe Evropianin. Dua të jap maksimumin, të kemi Evropian të suksesshëm”, thekson Toma.

Ndonëse do të luajë me Zvicrën në Evropian, kjo nuk nënkupton se Toma ka vendosur ta përfaqësojë këtë vend edhe te të rriturit.

“Nuk kam vendosur ende se për kë do të luaj. E lë derën hapur për të ardhmen”, thotë mesfushori i vlerësuar lart në Zvicër e tani edhe në Belgjikë. Deklarata e tij mund të jetë sinjal për angazhim shtesë të FFK-së në përpjekje për ta afruar te Kosova edhe një lojtar me potencial të madh.