Sport

Tifozi që ofendoi Viniciusin do të gjobitet dhe do të përjashtohet nga ndeshjet

Komisioni spanjoll kundër dhunës ka propozuar të martën një gjobë prej 4000 eurosh dhe një ndalim prej 12 muajve nga stadiumet për tifozin që ofendoi në baza racore sulmuesin e Real Madridit, Vinicius Junior, në një ndeshje të La Ligas.

Dënimi pritet të fuqizohet nga autoritetet përkatëse ndaj tifozit, i cili akuzohet se e quajti sulmuesin e Brazilit “majmun” gjatë ndeshjes ndërmjet Mallorcas dhe Real Madridit, të zhvilluar më 5 shkurt. Tifozi thuhet se është 20-vjeçar dhe pronar i biletës sezonale të Mallorcas. Ai mund të përballet gjithashtu me akuza penale. Tifozi abuzues u identifikua nga zyrtarët e sigurimit të klubit. Besohet se i njëjti ka fyer edhe lojtarin e Villarrealit, nigerianin Samu Chukwueze, në një ndeshje tjetër.

“Një gjobë prej 4000 eurosh dhe ndalim i hyrjes në ambiente sportive për një periudhë 12-mujore, për një individ që u identifikua si autori i fyerjeve raciste të bëra ndaj lojtarit të Real Madridit, Vinicius Junior në ndeshjen RCD Mallorca - Real Madrid CF, e luajtur më 5 shkurt”, thuhet në propozimin e komisionit.

Gjoba dhe ndalimi nga komisioni kundër dhunës janë pak më të rënda sesa kishte sugjeruar fillimisht policia kombëtare, e cila kishte kërkuar që personat abuzues të gjobiten me tre mijë euro dhe të ndaloheshin nga stadiumet për gjashtë muaj.

Viniciusi u ofendua në baza racore edhe pas ndeshjes me Mallorcan, kur u ndal për të pozuar për fotografi dhe për të dhënë autografe për tifozët që e prisnin. Reprezentuesi i Brazilit u është nënshtruar ofendimeve qëkur u transferua në Spanjë pesë vjet më parë, megjithëse shumë pak është bërë për të ndëshkuar tifozët deri më tani.

Real Valladolidi së fundmi ka pezulluar 12 pronarë të biletave sezonale, ndërsa hetonte abuzimin verbal të supozuar ndaj brazilianit Vinicius. Gjyqi i parë kundër një tifozi që ofendoi në baza racore një lojtar në Spanjë pritet të fillojë këtë vit, pas komenteve të një tifozi të Espanyolit ndaj sulmuesit të Athletic Bilbaos, Inaki Williams disa vjet më parë. Liga spanjolle ka depozituar ankesa tek autoritetet për fyerje raciste ose thirrje kundër Viniciusit, me disa prej tyre të anuluara tashmë nga prokurorët.

La Liga ka rritur gjithashtu numrin e mbikëqyrësve në ndeshje për të identifikuar tifozët që bëjnë fyerjet kundër lojtarëve, veçanërisht kur luan Viniciusi. Autoritetet nuk i kanë gjetur ende personat që janë përgjegjës për varjen e figurës së Viniciusit në një urë në Madrid përpara derbit kundër Atletico Madridit muajin e kaluar. Sulmet kundër tij u shtuan pasi Vinicius filloi të festonte golat e tij duke kërcyer.

Komisioni kundër dhunës propozoi të njëjtën gjobë dhe ndalim si ndaj tifozit të Mallorcas për një individ që bëri përshëndetjet naziste gjatë ndeshjes së kategorisë së tretë këtë muaj dhe një tifozi tjetër, i cili ofendoi në baza racore një lojtar në një ndeshje volejbolli në muajin dhjetor.