Shtatë persona të akuzuar për abuzim racor ndaj lojtarit të Real Madridit, Vinicius Junior, janë arrestuar në Spanjë, tha policia të martën. Tre u arrestuan në Valencia për abuzim të dyshuar ndaj Vinicius-it në ndeshjen e ligës spanjolle, të dielën. Ndërsa katër të tjerë u arrestuan në Madrid pasi dyshohet se kishin varur një figurë të lojtarit në një urë në autostradë në muajin janar. Arrestimet vijnë pas një mbështetjeje të madhe për Viniciusin, i cili tha se ishte abuzuar në Valencia. Rasti shkaktoi reagim të gjerë nga figura sportive dhe zyrtarë qeveritarë në Spanjë dhe në mbarë botën.
Spanja është kritikuar për mungesën e veprimit në rastet e racizmit në futboll. Zyrtarët e Qeverisë braziliane, përfshirë presidentin Luiz Inacio Lula da Silva, kishin shprehur publikisht shqetësimet e tyre. Braziliani Vinicius u është nënshtruar fyerjeve të përsëritura raciste që kur mbërriti në Spanjë pesë vjet më parë, dhe veçanërisht këtë edicion pasi filloi të festonte golat e tij duke vallëzuar. Braziliani e ka kritikuar ashpër futbollin spanjoll që nuk ka bërë më shumë për të ndaluar racizmin në stadiume. Ndeshja kundër Valencias u ndërpre përkohësisht pasi Vinicius tha se një tifoz prapa njërës prej portave e quajti atë majmun dhe bëri gjeste majmuni drejt tij.
Madje Vinicius mendoi të largohej nga fusha, por përfundimisht vazhdoi të luante. Figura e Viniciusit u var në mëngjesin e ndeshjes derbi mes Real Madridit dhe Atletico Madridit në kuadër të Kupës së Mbretit në fillim të këtij viti. Së bashku me figurën e tij ishte edhe një pankartë me fjalët “Madridi e urren Realin”. Autorët përdorën një figurë me ngjyrë të zezë me emrin e Viniciusit në të, së cilës ia kishin lidhur një litar në qafë dhe e kishin varur në një mbikalim ndërsa ishte ende errësirë në kryeqytetin spanjoll. Policia tha se tre nga të arrestuarit i përkisnin një prej grupeve të tifozëve të Atleticos dhe tjetri ishte një ndjekës i grupit.
Disa kishin akuza paraprake në policinë për krime të tjera. Mesazhi i urrejtjes në pankartë përdoret shpesh nga tifozët e flaktë të Atleticos, megjithëse në atë kohë ata mohuan të ishin përgjegjës për shfaqjen e tij. Meshkujt e arrestuar janë midis moshës 19 dhe 24 vjeç. Autoritetet thanë se disa ishin identifikuar më parë gjatë ndeshjeve të konsideruara me rrezik të lartë dhune. Policia tregoi pamjet e tyre teksa ata mbërritën me pranga dhe të shoqëruar në stacion nga agjentët, të martën. Mediat spanjolle thanë se policia kishte përdorur kamerat e sigurisë për të identifikuar autorët, por asnjë veprim nuk ishte ndërmarrë deri më tani. Policia nuk tha nëse koha e arrestimeve kishte të bënte me vëmendjen e përhapur që u mor nga abuzimi i fundit kundër Viniciusit, të dielën. Dritat në statujën e Krishtit në Rio de Janeiro u fikën mbrëmjen e së hënës në shenjë solidariteti për Viniciusin.
“Është një veprim solidariteti që po lëviz”, shkroi Vinicius në Twitter. “Por më shumë se çdo gjë, ajo që dua është të frymëzoj dhe të sjell më shumë dritë në luftën tonë”.
Vinicius i falënderoi të gjithë për mbështetjen që i kanë dhënë muajt e fundit në Brazil dhe jashtë tij.
“Unë e di kush jeni”, tha ai. “Llogaritni tek unë, sepse të mirët janë shumica dhe nuk do të dorëzohem. Unë kam një qëllim në jetë dhe nëse më duhet, do të vazhdoj të vuaj në mënyrë që brezat e ardhshëm të mos kenë nevojë të kalojnë këto lloj situatash, unë jam gati dhe i përgatitur”.
Valencia ndaloi përgjithmonë një tifoz të identifikuar se kishte fyer Viniciusin gjatë ndeshjes, në të cilën e mposhti Realin 1:0. Ndërkohë, Real Madridi e çoi rastin në prokurori duke e vlerësuar si krim urrejtjeje.
Liga spanjolle ka paraqitur nëntë ankesa penale për rastet e abuzimit racor kundër sulmuesit Vinicius në dy edicionet e fundit, ku shumica e tyre janë anuluar nga prokurorët. Liga tha të martën se do të kërkojë të rrisë autoritetin e saj për të lëshuar sanksione në rastet e krimeve të urrejtjes gjatë ndeshjeve. Ajo kishte thënë se mund të zbulojë dhe të denoncojë incidentet vetëm tek autoritetet dhe federata e futbollit të vendit. Tifozët kanë gjetur veten të përjashtuar nga stadiumet për abuzimin e tyre kundër Viniciusit, por deri më tani vetëm një tifoz i Mallorcas mund të përfundojë në gjyq për fyerje raciste të supozuar ndaj brazilianit gjatë një ndeshjeje. Gjyqi i parë kundër një tifozi të akuzuar për abuzim racor në futbollin profesionist spanjoll pritet të ndodhë gjatë këtij viti. Rasti përfshin sulmuesin e Athletic Bilbaos, Inaki Williams, i cili u ofendua nga një tifoz i Espanyolit në një ndeshje kampionale në vitin 2020.