Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fyerje të tjera raciste ndaj Viniciusit

Fyerjet raciste ndaj lojtarit të Real Madridit, Vinicius Junior, nga spektatorët gjatë ndeshjes në Barcelonë fundjavën e kaluar, bënë që liga spanjolle të parashtrojë një ankesë tjetër pranë autoriteteve gjyqësore spanjolle.

Është ankesa e tetë e tillë që liga spanjolle ka paraqitur në lidhje me fyerjet raciste drejtuar brazilianit Vinicius, vetëm këtë edicion të garave. Incidenti i fundit ndodhi të dielën gjatë fitores 2:1 të Barcelonës, që e vendosi skuadrën nikoqire në kontroll të plotë të garës për titull. Rivalët e mëdhenj do të takohen sërish në stadiumin “Camp Nou” më 5 prill, në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së “Copa del Rey”, ku Barcelona ka avantazh 1:0 pas fitores në duelin e parë në Madrid.

Viniciusi është abuzuar në baza racore që kur mbërriti në Spanjë pesë vjet më parë, megjithëse pak është bërë për të ndëshkuar tifozët. Sulmet duket se janë shtuar pasi sulmuesi 22-vjeçar brazilian u shfaq si një nga yjet e Real Madridit, që e ndihmoi skuadrën të fitonte Ligën e Kampionëve dhe ligën spanjolle edicionin e kaluar.

Këtë javë, klubi spanjoll Mallorca tha se një tifozi që ofendoi në baza racore Viniciusin dhe Samu Chukwuezen e Villarrealit gjatë ndeshjeve, iu pezullua anëtarësia në klub për tri vjet. Komisioni kundër dhunës ka propozuar tashmë një gjobë prej 4000 eurosh dhe një ndalim 12-mujor nga stadiumet për tifozin, i cili gjithashtu mund të përballet me akuza penale.

Real Valladolidi kohët e fundit pezulloi 12 pronarë të biletave sezonale ndërsa hetonte abuzimin verbal të pretenduar ndaj Viniciusit. Por shumë nga sulmet e tjera kanë mbetur pa u ndëshkuar. Autoritetet, për shembull, nuk i kanë gjetur ende ata që janë përgjegjës për varjen e figurës së Viniciusit në një urë në Madrid përpara derbit kundër Atletico Madridit më herët këtë edicion. La Liga është përpjekur të përgjigjet duke rritur numrin e mbikëqyrësve në ndeshje për të identifikuar autorët, veçanërisht kur Vinicius luan dhe duke inkurajuar tifozët të raportojnë incidente të abuzimit racor.

Gjyqi i parë kundër një tifozi që ofendoi në baza racore një lojtar në Spanjë pritet të fillojë këtë vit pas komenteve të një tifozi të Espanyolit kundër sulmuesit të Athletic Bilbaos, Inaki Williams, disa vjet më parë.

Artikuj të ngjashëm