Sport

Tifozët shkaktojnë kaos pas rënies së Santosit nga liga

Largimi i Santosit nga elita e futbollit brazilian ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha te tifozët e kësaj skuadre. Klubi, i cili u bë i njohur falë periudhës së Peles prej vitit 1956 deri në vitin 1974, nuk kishte rënë nga elita në 111 vjet histori, deri të enjten.

Disfata 2:1 nga Fortaleza ka bërë që Santosi ta mbyllë edicionin me një pikë më pak se vendi që siguronte mbijetesën. Fortaleza shënoi gol në minutën e 96-të nëpërmjet Juan Martin Luceros, i cili e paraboloi portierin Joao Paulo.

Portieri i Santosit kishte dalë jashtë portës për ta ndihmuar fazën e sulmit të shënonte gol, e që do të ishte i mbijetesës.

Santosi gradualisht nga mesi i tabelës ra në zonën e rrezikshme pasi nuk kishte fituar në pesë ndeshjet e fundit. Santosit i duheshin disa faktorë kundër që të binte nga liga, dhe çuditërisht, të gjitha u bënë realitet.

Santosi ishte në vendin e 15-të, ndërsa në ditën e fundit të kampionatit, Vasco da Gama kishte 42 pikë dhe Bahia kishte 41 pikë. Ishin më poshtë në tabelë. Që të dyja skuadrat i fituan ndeshjet e tyre, ndërsa Santosi humbi në minutën e fundit dhe përfundoi në vendin e fundit. Përfundoi në vendin e 17-të me 43 pikë.

Për ta bërë edhe më të vështirë e më të dhimbshëm këtë largim nga elita, rivali i qytetit, Palmeiras, e fitoi titullin në të njëjtën ditë. Humbja, largimi nga liga, dhe triumfi i titullit nga kundërshtarët kanë bërë që tifozët të shkaktojnë kaos në qytet. Shumë lojtarë u panë me lot në sy, disa prej tyre lëviznin kokën në shenjë habie.

Emocionet shpejt u kthyen në zemërim dhe u desh ndërhyrja e policisë për t’i ndaluar tifozët që donin të hynin në fushë. U hodhën shumë mjete shpërthyese në fushën e lojës. Në një pankartë që ishte shfaqur gjatë ndeshjes shkruante: “Në vendin e dytë, ndonjëherë. Në kategorinë e dytë, asnjëherë”.

Shumë tifozë të zemëruar shfaqën qartë se sa e rëndë ka qenë kjo rënie. Ata shkatërruan në qytet çdo gjë që u doli para. Shumë video në rrjete sociale tregonin se makinat po digjen në qytet.

Sipas raportimeve të mediumeve në Brazil, një prej makinave i takonte sulmuesit të Santosit, Stiven Mendoza. Santosi vlerësohet një prej ekipeve më me nam në historinë e futbollit të Brazilit. Në të kaluarën për këtë skuadër, përveç Peles, kanë luajtur edhe Neymari, Robinho, Coutinho e Rodrygo.

Rënia e Santosit ka ardhur në më pak se një vit pas vdekjes së tri herë fituesit të Kupës së Botës, Peles.

Pele vdiq më 29 dhjetor të vitit 2022, në moshën 82-vjeçare. Flamengo dhe Sao Paulo mbesin të vetmet skuadra në Brazil që nuk janë larguar asnjëherë nga elita e futbollit brazilian. Santosi ka fituar 8 tituj të Serie A