Pele “do të ishte i trishtuar” për gjendjen aktuale të Përfaqësueses së Brazilit, ka thënë djali i tij Edinho në një intervistë të martën - disa ditë para përvjetorit të parë të vdekjes së tij, që është të premten. Brazili ka pasur telashe në kualifikimet për Kupën e Botës 2026 dhe aktualisht renditet i gjashti në tabelën e Amerikës së Jugut, vendi i fundit që siguron kualifikimin direkt në turneun që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. “Seleçao” ka luajtur pa yllin e tij më të madh, sulmuesin Neymar, i cili mungon për një kohë të gjatë në dëmtim pas këputjes së ligamenteve të gjurit. Në fakt, Neymar nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë Brazilit as në Kupën e Amerikës që mbahet vitin tjetër.
“Kjo krizë e rezultateve të Brazilit nuk u shfaq brenda natës, pasi ka probleme të mëdha dhe më komplekse”, tha Edinho, 53-vjeçar, i cili është një nga shtatë fëmijët e Peles. “Ne po përjetojmë një rënie... ne kemi ende lojtarë të mëdhenj, por në kohët e mëparshme kishim më shumë lojtarë të nivelit të lartë sesa sot”.
Edinho, i cili u rrit nga nëna e tij pasi Pele dhe ajo u ndanë menjëherë pas transferimit në New York, kur ai nënshkroi për ekipin New York Cosmos në vitin 1975, por u afrua më shumë me babanë në jetën e mëvonshme, shtoi: “Nuk ka dyshim, nëse (Pele) do të ishte gjallë këtë vit, ai do të ishte shumë i trishtuar me këto rezultate”.
Santos, klubi brazilian ku Pele kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij, po kalon gjithashtu një periudhë të vështirë pasi ra në divizionin e dytë të Brazilit për herë të parë në historinë e tij 111-vjeçare. Klubi është i shkatërruar nga problemet financiare dhe përçarjet brenda Bordit udhëheqës.
“Fatkeqësisht kjo nuk është befasi. Kushdo që ka ndjekur jetën e përditshme të klubit mund ta kishte parashikuar një skenar të tillë dhe përfundoi duke ndodhur”, tha Edinho, i cili ishte portier i Santosit për disa edicione.
Ceremonitë për të shënuar përvjetorin e parë të vdekjes së Peles nga kanceri në moshën 82-vjeçare pritet të jenë të profilit ulët. Fëmijët e njeriut të konsideruar gjerësisht si futbollisti më i madh në historinë e këtij sporti, do të zhvillojnë një takim virtual për të shënuar këtë moment për shkak se disa prej tyre jetojnë në SHBA, ndërsa një ceremoni është planifikuar të mbahet te varri i tij në Santos, që u hap për publikun në muajin maj të këtij viti. Edinho, jeta e të cilit ka qenë e mbushur me telashe për pastrim parash dhe trafik droge, tha se humbja e Peles që shënoi 77 gola në 92 paraqitje për Brazilin kishte lënë një vrimë të madhe në jetën e familjes.
“Ai ishte i jashtëzakonshëm, na mungon shumë”, tha Edinho. “Ai mbajti emrin e vendit tonë përmes futbollit, për të cilin ne jemi shumë krenarë”.