Sport

Tifozët marokenë presin mundësinë për një biletë falas të Botërorit

Qindra tifozë marokenë u mblodhën dhe pritën jashtë stadiumit “Al Janoub” të martën, duke shpresuar për një shans për të siguruar një biletë falas për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Botës ndërmjet Marokut dhe Francës. Biletat u shpërndanë nga Federata marokene e futbollit në koordinim me FIFA-n dhe Komitetin Organizativ të Botërorit të Katarit. Kjo shpërndarje e biletave që nisi të martën, do të përfundojë në ditën e ndeshjes, të mërkurën. Marokenëve do t’u shpërndahen hiç më pak se 13 mijë bileta.

“Ne blemë pjesën e biletave të pashitura në stadium dhe vendosëm t’ua shpërndajmë tifozëve tanë”, tha presidenti i Federatës marokene, Fouzi Lekjaa. “Ata janë këtu në Katar dhe kanë vetëm një dëshirë – ta shohin ekipin tonë duke luajtur”.

Maroku, përfaqësuesja e parë afrikane që arrin në gjysmëfinale të Kupës së Botës, do të përballet të mërkurën me kampionen në fuqi, Francën, ndeshje kjo që nis në orën 20:00. Tifozët jashtë stadiumit “Al Janoub” thanë se kishin pritur për disa orë dhe do të presin deri të mërkurën për të marrë një biletë. Disa prej tyre kishin marrë batanije e karrige me vete dhe flinin me radhë në tokë. Shumë planifikojnë të mbështesin ekipin në Katar edhe nëse nuk mund të marrin një biletë për ndeshjen gjysmëfinale.

“Ne thjesht do të mbështetemi te Zoti. Ne dëshirojmë nga zemra që ndeshja kundër Francës të shkojë mirë”, tha tifozi maroken, Mohammed al Hmaemi. “Shpresojmë që Maroku jonë të fitojë. Ne nuk kemi bileta dhe nëse nuk i sigurojmë atëherë do të qëndrojmë jashtë stadiumit dhe do të brohorasim për ekipin tonë”.

Tifozja marokene, Hasnae Belazzeyz, tha se pritja ia vlente. Ajo shpreson të sigurojë një biletë dhe ta përkrahë ekipin nga tribunat kundër Francës. Sikurse të gjithë marokenët, edhe Belazzeyz beson se Maroku mund të kalojë në finale të Botërorit.

“Është më shumë se një ëndërr, është e pabesueshme. Është një krenari kombëtare. Është historike”, insistoi ajo. “Andaj pritja për një biletë falas ia vlen. Ne jemi këtu për ekipin tonë, i cili besoj se do të paraqitet në finale”.

Transportuesi kombëtar i Marokut, “Royal Air Maroc”, ka konfirmuar se do të kryejë 30 fluturime midis Kazablankës dhe Dohas.

“Pas suksesit të aranzhimeve të bëra për ndeshjen Maroku - Portugalia, ne tani po katërfishojmë këto marrëveshje duke kryer gati 30 fluturime me avionë me kapacitet të madh, në vetëm 24 orë”, tha në një deklaratë presidenti i “Royal Air Maroc”, Abdelhamid Addou.

“Royal Air Maroc” tha se oferta e veçantë ishte në dispozicion për 475 dollarë, për udhëtim vajtje-ardhje për të gjithë tifozët e Marokut. Edhe në ditën e mërkurë pritet fluks i madh i marokenëve, ndonëse ekipi i tyre ka përkrahjen edhe të tifozëve të tjerë afrikanë e arabë.

Maroku ka pasur ecuri fantastike gjatë rrugës deri në gjysmëfinale. Ka pranuar vetëm një gol në pesë ndeshje të zhvilluara, prej të cilave ka regjistruar katër fitore dhe një barazim.