Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tifozët e futbollit janë optimistë para turneut në Basra të Irakut

Për shumë irakianë, turneu i parë ndërkombëtar i futbollit që vendi i tyre po e organizon në më shumë se katër dekada është gati të nisë në qytetin jugor të Basras, duke ofruar një moment të rrallë gëzimi dhe optimizmi.

Turneu “Gulf Cup” fillon të premten me përfaqësuese si Bahrejni, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni e Iraku. Është hera e parë që nga viti 1979 që Iraku i shkatërruar nga luftërat është nikoqir i këtij turneu. Për dy javë ndeshjet do të jenë një pushim nga dhuna, krizat politike dhe ekonomike, thanë tifozët dhe zyrtarët. Dekada trazirash dhe konfliktesh kanë shkaktuar një sërë ndalesash nga FIFA për Irakun që të presë ndeshje ndërkombëtare. Kjo e ka detyruar përfaqësuesen e Irakut të luajë ndeshjet jashtë vendit.

Që nga lufta në vitin 2003, që rrëzoi diktatorin Saddam Hussein, Iraku ka luajtur vetëm tri ndeshje zyrtare në shtëpi. Në rast se edicioni i 25-të i turneut “Gulf Cup” shkon mirë, atëherë FIFA ka gjasa t’ia lejojë Irakut që ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026 t’i luajë në Bagdad.

“Si irakianë kemi vuajtur me dekada dhe tani jemi të lumtur që një turne futbolli po organizohet në tokën e Irakut, saktësisht Basra”, tha Akra mal-Iraqi, një adhurues i madh i këtij sporti.

Edhe Basra, qendra e industrisë së naftës së Irakut, nuk është kursyer nga trazirat politike të vendit, përleshjet e dhunshme dhe infrastruktura e dëmtuar. Megjithatë, këto ditë qyteti po duket i rinovuar dhe më i mbushur se kurrë. Forcat e sigurisë kanë zbarkuar në numër të madh derisa turistët nga vendet fqinje tashmë janë vendosur në Basra për t’i përkrahur ekipet përgjatë turneut të futbollit.

Edhe Lojtarët e Iranit përshkruajnë se si lufta ndikon në përgatitjet e tyre për Kupën e Botës Botërori 2026 Lojtarët e Iranit përshkruajnë se si lufta ndikon në përgatitjet e tyre për Kupën e Botës

“Shumica e tifozëve që kanë ardhur për këtë turne ende i shohin Basran dhe Irakun si vende tejet të pasigurta. Por, më duket se ata kanë filluar ta ndryshojnë qasjen për shkak se kanë filluar të postojnë nëpër rrjetet sociale fotografi dhe fjalë të mira”, shtoi Fouad Al-Helfi. “Ky turne do t’i ndihmojë shumë vendit në aspektin ekonomik. Me padurim po i presim ndeshjet pasi ka kohë që nuk kemi parë futboll këtu”.

Adel Kabbasi, një gazetar nga Jemeni që tashmë është vendosur në Basra për të raportuar për turneun, ka thënë se po ndihet i sigurt dhe shumë mirë në qytetin irakian. Ndërkohë Noor Majid, që nga Bagdadi është zhvendosur në Basra për t’i shikuar ndeshjet, shpreson që ky turne t’i largojë tensionet politike njëherë e përgjithmonë.

“Mendoj se ky turne është një rast i mirë për Irakun që t’i rregullojë marrëdhëniet politike me vendet e tjera. Pra, nëpërmjet futbollit mund të arrijmë shumë gjëra pozitive”, shtoi Majid.

Federata e Futbollit e Irakut e sheh turneun si një mundësi të artë për ta ngritur vetëbesimin se Iraku mund të organizojë edhe shumë ngjarje të tjera sportive me sukses.

Edhe Luftërat, sanksionet, dënimet – pritja 40-vjeçare e Irakut për Kupën e Botës Botërori 2026 Luftërat, sanksionet, dënimet – pritja 40-vjeçare e Irakut për Kupën e Botës

“Gjithçka që e kemi planifikuar në letër e kemi zbatuar. Tashmë jemi gati për këtë turne dhe t’u dëshmojmë të gjithëve se mund të organizojmë turne futbolli, por edhe ngjarje tjera”, tha drejtori i Federatës, Yousif Faeal.

Sa u përket shpresave për ta fituar turneun, Iraku ka triumfuar në vitin 1979 për herën e parë, si dhe dy herë të tjera gjatë viteve 1980. I vendosur në një grup me Jemenin, Arabinë Saudite dhe Omanin, tek Iraku ka optimizëm për të triumfuar për herën e katërt në “Gulf Cup”. Dy ekipet e para nga secili grup do të avancojnë në gjysmëfinale. Ndeshja finale është paraparë të zhvillohet në “Basra International Stadium”, që ka një kapacitet prej 65 mijë ulëseve, më datën 19 janar.