Sport

Thaqi thotë se mungesa e përvojës i shkaktoi probleme Prishtinës në debutimin në Evropë

Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi, thotë se mungesa e eksperiencës, ndikoi te paraqitja e dobët e Prishtinës në debutimin në kualifikimet për Ligën e Evropës.

“Plisat” pësuan 5 me 0 nga Norrkopingu në Suedi me të pesë golat të shënuar në pjesën e parë.

Pas takimit, Thaqi ka thënë se ka provuar të befasojë kundërshtarin në fillim, por një gjë e tillë ishte e pamundur duke marrë parasysh dallimet në cilësi.

“Provuam që në fillim të befasonim kundërshtarin. Është sfidë e re për ne. Kemi qenë në dijeni për forcën e kundërshtarit. U tregua dallimi në cilësi. Patëm momentet tona që nëse do të ishim më të kujdesshëm mund të shënonim. Ka qenë dominim total i kundërshtarit. Na duhet ende eksperienca që të luajmë në mënyrë që të përballemi me ekipe si Norrkopingu”, ka thënë ai.

Takimi i kthimit zhvillohet javën e ardhshme në Mitrovicë.