Koreja e Veriut mund të njihet si një shtet i izoluar, por ka një histori të gjatë të angazhimit me bashkësinë ndërkombëtare në fushën e sportit. Përfaqësuesja e futbollit të meshkujve e këtij vendi ishte e para nga Azia me ndikim në Kampionatin Botëror, duke arritur në çerekfinale në vitin 1966.
Në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, sportistët nga Koreja e Veriut fituan shtatë medalje, përfshirë dy të arta. Në Lojërat Aziatike të vitit 2018, numri i përgjithshëm i medaljeve arriti në 37.
Vetëm dy vjet më parë, në vitin 2019, perspektiva sportive dukej pozitive. Olimpiada do të mbahej në Japoni një vit më vonë, kampanja kualifikuese e Koresë së Veriut për Botërorin “Katari 2022” kishte filluar mjaft mirë, dhe klubi kryesor i futbollit në këtë vend, April 25 SC, kishte arritur në finalen e Kupës AFC, që në Azi është e barabartë me Ligën e Evropës.
Pastaj erdhi fillimi i pandemisë që rezultoi me mbylljen e kufijve dhe izolime totale në një pjesë të madhe të botës. Komuniteti ndërkombëtar që nga atëherë është kthyer në arenat sportive, por Koreja e Veriut ende nuk shihet askund. Në prill, Pyongyangu zyrtar njoftoi se Koreja e Veriut po tërhiqej nga Lojërat Olimpike të Tokios, duke u bërë vendi i vetëm në botë që e bëri këtë veprim. Një vendim i ngjashëm u mor edhe për kualifikimet e Botërorit “Katari 2022”, muaj më vonë. Nuk kishte zgjidhje tjetër sipas ish-futbollistit An Yong Hak, i cili luajti 40 ndeshje për Korenë e Veriut nga viti 2002 deri më 2012.
“Nuk ka koronavirus në Korenë e Veriut, nuk ka asnjë person të infektuar. Por nuk ka udhëtime ndërkombëtare kështu që ne nuk mund të shkojmë në vende të tjera dhe të luajmë. Është shumë zhgënjyese për lojtarët, por ata e dinë shumë mirë pse po ndodh kjo”, tha An.
Edhe
Koreja e Veriut tërhiqet nga kualifikimet për Kupën e Botës 2022
Është e paqartë nëse mund të ketë një arsye politike pas tërheqjes, ashtu siç është e vështirë të dihet se sa i përhapur është në të vërtetë virusi në vend.
“Është një mister tjetër i Koresë së Veriut. Shumica e ekspertëve mendojnë se ka disa të infektuar në këtë vend, por jo shumë”, tha Aidan Foster-Carter, sociologe dhe njohëse e Koresë Moderne.
Në korrik të këtij viti, Koreja e Veriut refuzoi një donacion prej afro dy milionë vaksinash “AstraZeneca” dhe një muaj më vonë bëri edhe një refuzim të gati tre milionë vaksinave “Sinovac” të prodhuara nga Kina. Më 19 gusht, Organizata Botërore e Shëndetit tha se nuk kishte asnjë rast pozitiv në vend, pasi testoi mbi 37.000 njerëz. Duket se vendimi për t’u tërhequr nga sporti ndërkombëtar ka të bëjë me atë se Koreja e Veriut shqetësohej se sportistët mund të ktheheshin me infeksione nga ngjarjet.
“Koronavirusi është një shqetësim. Koreja e Veriut nuk ka infrastrukturën mjekësore ose burimet për të trajtuar një shpërthim”, tha Jean Lee, ish-kreu i Byrosë së Pyongyangut. “Udhëheqja e Koresë së Veriut mund të mendojë se nuk është koha e duhur politikisht për të dërguar sportistët e saj jashtë vendit”.
Çdo vendim për mospjesëmarrje në ngjarjet më të mëdha sportive nuk do të merrej lehtë, duke pasur parasysh suksesin që vendi ka pasur në të kaluarën. Qindra e mijëra njerëz dolën në rrugët e Pyongyangut në vitin 2014 për të mirëpritur ekipin e futbollit U-16 që kishte fituar kampionatin aziatik.
Edhe
Koreja e Veriut nuk merr pjesë në Lojërat Olimpike
“Sportet janë të rëndësishme për vendin pasi shërbejnë si një mundësi për t'i sjellë lavdi ndërkombëtare Koresë së Veriut”, tha Lee.
Vendimi i Pyongyangut për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2018 në Pyeongchang të Koresë së Jugut, ishte një triumf propagandistik që u mirëprit nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) si dhe nga Seuli. Dy Koretë, teknikisht ende në luftë që nga Lufta Koreane e viteve 1950-53 e që përfundoi me një armëpushim, marshuan së bashku në ceremoninë e hapjes dhe garuan me një ekip të përbashkët të hokejit të femrave.
Ka pasoja nga tërheqja nga ngjarjet ndërkombëtare sportive që tejkalojnë propagandën. Futbolli i Koresë së Veriut do të kishte përfituar financiarisht nëse do t’i kishte vazhduar kualifikimet për Botërorin e vitit të ardhshëm, ndërsa futbollistët do të kishin mundësi ekspozimi dhe do të kishin fituar përvojë.
“Është vështirë të thuhet nëse Koreja e Veriut do të kualifikohej. Por, në krahasim me të kaluarën, ka shumë lojtarë të mirë, si Han Kwang Son që ka luajtur në Evropë”, tha An.
Tërheqja do të rezultojë gjithashtu me rënie në ranglistën e FIFA-s, që do të thotë se do të ketë rrugë më të vështirë për t'u kualifikuar në Kupat e ardhshme të Botës dhe Azisë. Pas shkëlqimit të vitit 2018, IOC-ja është nervozuar me vendimin e Koresë së Veriut për të mos shkuar në Tokio dhe në shtator ia ndaloi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit tjetër.
Edhe
Të presësh vdekjen në Korenë e Veriut
“Ata po shkelnin Kartën Olimpike dhe nuk përmbushën detyrimin e tyre siç thuhet në Kartën Olimpike për të marrë pjesë”, tha kreu i IOC-së, Thomas Bach.
Mbetet për t'u parë nëse Koreja e Veriut do të marrë pjesë në Olimpiadën e vitit 2024 në Paris, apo kur do të kthehet në sportin ndërkombëtar në përgjithësi.