Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Një nga rivalitetet më të ashpra të futbollit të Azisë është bërë i njëanshëm

Një rivalitet aziatik në futboll, ndryshe nga asnjë tjetër, ka filluar të bëhet i njëanshëm. Koreja e Jugut ka mposhtur Japoninë 42 herë dhe ka humbur vetëm 16 ndeshje. Por, Japonia ka fituar dy ndeshjet e fundit kundër armiqve të saj rajonalë me rezultat 3:0 në 18 muajt e fundit, duke përfshirë një përballje këtë javë në Japoni. Kur Japonia bëri paraqitjen e saj të parë në Kupën e Botës në vitin 1998, Koreja e Jugut po luante në turneun e saj të pestë.

Koreja e Jugut arriti në gjysmëfinale në vitin 2002, kur të dyja vendet ishin bashkorganizator të kësaj ngjarjeje, që edhe mbetet performanca më e mirë nga çdo ekip aziatik në Kupën e Botës. Megjithatë, në vitin 2018, Japonia kaloi në fazën e eliminimit, ndërsa Koreja e Jugut nuk arriti të përparonte nga faza e grupeve. Në mars të vitit 2021, Japonia mposhti rivalin e saj 3:0 në Yokohama dhe e përsëriti atë sukses në Toyota të enjten në Kampionatin e Azisë Lindore, duke u treguar superiore në të dyja ndeshjet.

“Këto ditë, lojtarët japonezë nuk kanë komplekse për Korenë ose mendojnë se janë psikologjikisht inferiorë”, tha përzgjedhësi i Japonisë, Hajime Moriyasu, kur u pyet nëse vendi e kishte kapërcyer pengesën kundër Koresë së Jugut.

Mediat japoneze nuk u emocionuan shumë me fitoren që i dha vendit pritës shtatë pikë dhe vendin e parë në Kampionatin e Azisë Lindore ku u shfaqën edhe Kina dhe Hong-Kongu.

“Nuk ishte një fitore e kënaqshme pasi Koreja ishte shumë e dobët”, tha sajti “Soccer Digest”.

Trajneri i Koresë së Jugut, Paulo Bento, tha se humbja erdhi si rezultat i gabimeve në mbrojtje dhe nuk preferoi të fliste për rivalitetin mes skuadrave.

“Është e rrezikshme të krahasohet vetëm me Japoninë, sepse mjedisi, situata dhe metodat e trajnimit në secilin vend janë të ndryshme”, tha ai.

Edhe Me numër rekord përfaqësuesesh, Azia rivendos objektivat në Botëror Sport Me numër rekord përfaqësuesesh, Azia rivendos objektivat në Botëror

Krahasimet janë të pashmangshme, megjithatë, midis dy kombeve më të suksesshme të futbollit të Azisë. Me dy skuadrat që kishin mungesën e yjeve me bazë evropiane, takimi i së enjtes ishte kryesisht mes lojtarëve nga J-League dhe K-League. Japonia, me një ekip me më pak përvojë, fitoi me lehtësi.

Edhe pse Koreja e Jugut krenohet me yllin më të madh të Azisë, Son Heung-min, i cili fitoi çmimin “Këpuca e Artë” të Premier Leagues si golashënuesi kryesor te Tottenhami sezonin e kaluar, Japonia mund të emërojë një listë të tërë të mbushur me lojtarë që luajnë në Evropë. Pavarësisht rezultateve të fundit dhe rënies së pjesëmarrjes, mbrojtësi i Koresë së Jugut, Kim Jin-su, është i bindur se skuadra më e suksesshme e Azisë në Kupën e Botës do të jetë në gjendje t'i kthejë gjërat përpara fillimit të Botërorit “Katari 2022”, që nis në nëntor të këtij viti. Japonia luan në Grupin E me Gjermaninë, Kosta Rikën dhe Spanjën. Ndërsa, Koreja e Jugut është pjesë e Grupit H, së bashku me Uruguain, Ganën e Portugalinë.

“Sigurisht, ne jemi të shqetësuar për humbjen nga Japonia, por ka ende kohë për t'u përgatitur për Kupën e Botës. Besoj se në Katar do të dëshmojmë edhe një herë se jemi ekipi më i suksesshëm i Azisë”, tha Kim.