Kishin marrë udhëzime që prej ditësh dhe transmetimi në TVE (Televizionin publik i Spanjës) ia arriti qëllimit. Nga Ministria e Kulturës dhe e Sporteve sikurse edhe nga Federata Mbretërore e Futbollit të Spanjës (RFEF) u përcaktuan kushtet se si duhet prodhuar transmetimin e një ndeshjeje të veçantë. Të një dueli historik kundër një shteti të panjohur nga Qeveri e Spanjës. Ideja qe e qartë: ndeshja duhej të paraqitej si duel mes një shteti (Spanja) dhe një federatë (e Kosovës). Mjetet e zgjedhura për këtë ishin të ndryshme, e ndonjëri edhe krejt shkel e shko.
“Spanja takohet me ekipin e Federatës së Futbollit të Kosovës duke pritur se nuk do të vuajë aq shumë sa në dy takimet paraprake, se mos vet çfarë jave e patëm”. Kjo ishte hyrja në transmetim nga Juan Carlos Rivero, komentuesi i ndeshjes, që ia kaloi më pas fjalën Chapi Ferrerit. Qëllimi i parë u arrit, kur nuk u përdor emri “Kosovë” për t'iu referuar rivalit të së “Kuqes”.
Ky ishte udhëzimi i parë që e përmbante dokumenti që iu përcoll punonjësve të transmetuesit publik, te i cili pati qasje El Periodico. Fillimisht u sugjerua përdorimi i formulës “territori i Kosovës”, porse ky emërtim nxiti hidhërimin e paparë të kundërshtarit, pasi që Federata Spanjolle e kishte postuar një Tweet më 9 mars. Me “Ekipi i federatës së Kosovës” çështja paksa u zbut. Qe edhe opsioni i preferuar i Riveros, që u tregua shumë i kujdesshëm që të mos e bënte ndonjë shkarje, përderisa ish-lojtari i Barcelonës zgjodhi që më së shpeshti t'i referohej si “ekipi kosovar”.
Te himnet u shkua me një zgjidhje pa asnjë rrezik. Shtetet nuk u emërtuan fare, por thjesht u tha: “Në vijim himnet e ndeshjes”. Dhe kjo ishte pikërisht ajo që u dëgjua nga altoparlantët e stadiumit La Cartuja kur edhe u paralajmërua formacioni i ekipit të udhëhequr nga veterani Bernard Challandes. Para kësaj, nëpër semaforët e stadiumit u zgjodh të bëhet paraqitja e stemave të të dy federatave. E gjitha u realizua me kujdes ashtu që të respektoheshin normat e FIFA-s, porse duke e lënë të qartë dallimin ndërmjet një përfaqësueseje dhe asaj tjetrës që nuk njihet si shtet i pavarur nga Qeveria spanjolle
Aty ku pati më së shumti surealizëm qe te përdorimi i mbishkrimeve, si atëherë kur u paraqitën formacionet (SPAIN dhe kosovo), si dhe te rezultati që vendoset në këndin e epërm të majtë të ekranit (ESP-kos). Përdorimi i shkronjave të mëdha nga njëra anë dhe të vogla nga tjetra, gjithashtu e rekomanduar nga Qeveria, qe një mjet grotesk.
Nuk pati asnjë lojtar të Realit në përbërje të ekipit të Luis Enriques. Por kjo edhe nuk kishte rëndësi. Gjithashtu nuk qe aq me rëndësi se çfarë po ndodhte në fushë, ngase ndeshja shikohej si sfidë e lehtë për Spanjën përballë kundërshtarit më të dobët të grupit, përfaqësueses nr. 117 në ranglistën e FIFA-s, ish-krahinën serbe që shumëkush e shikon si shembull për ëndrrat e pavarësisë katalonjase.
Edhe
Federata spanjolle vazhdon me prezantim diskriminues ndaj Kosovës
Spanja nuk kërkoi paraprakisht që ta shmangte Kosovën në fazën e klasifikimit për botëror, siç e kishin bërë Serbia, Rusia dhe Bosnja. Në short, kosovarëve u kishte rënë grupi A, por meqë Serbia tashmë ishte aty, e zhvendosën në grupin B, ku u gjet Spanja. Tashmë ishte i garantuar konflikti me një shtet që është pjesë e FIFA-s që nga 2016-a dhe që njëanshëm e shpalli pavarësinë e vet më 2008, me përkrahjen e SHBA-së.
F.S.