I përballur me humbje të mëdha financiare dhe me rrezikun për rënie në kategorinë e dytë, Bordeauxi nuk i ngjan një klubi me nam aktualisht. Me gjashtë titujt e ligës franceze, katër Kupat e Francës, tri Kupat e Ligës dhe një histori të lavdishme në skenën evropiane, klubi jugperëndimor është një nga më të dekoruarit në vend.
Por vitet e fundit Bordeauxi është në qendër të vëmendjes për arsye të gabuara. Në vazhdën e edicioneve të dobëta, Bordeauxi ishte në prag të falimentimit vitin e kaluar, pasi pronarja e klubit, firma e investimeve me bazë në Amerikë,“King Street”, u tërhoq nga mbështetja. Kjo firmë e mori përsipër klubin në dhjetor të vitit 2019 dhe investoi 46 milionë euro, por pa ndonjë rezultat të rëndësishëm. Me dy ndeshje të mbetura deri në fund të edicionit të kaluar, Bordeauxi ishte vetëm dy pikë mbi zonën e rënies. Por në fund arriti të qëndronte në Ligue 1 edhe për këtë edicion.
Ekipi megjithatë u rrëzua përkohësisht në një kategori më poshtë, derisa mbikëqyrësi financiar i ligës miratoi projektin e marrjes së klubit nga biznesmeni Gerard Lopez.
“Është një mision shpëtimi”, ka thënë Lopez. “Në klub kishte drita të kuqe në të gjitha anët. Është një faturë shumë e fryrë e borxheve dhe na duhen edhe shumë muaj për ta stabilizuar situatën. Kemi shumë pak të hyra dhe humbje tejet të mëdha. Situata është e ndërlikuar”.
Bazuar në fjalët e Lopezit, Bordeauxi nuk është stabilizuar aspak prej fillimit të këtij edicioni. Përkundër transferimit të mbrojtësve të krahut, Gideon Mensah dhe Ricardo Mangas, si dhe qendërmbrojtësit të Paris Saint-Germainit, Timothee Pembele, reparti mbrojtës i Bordeauxit ka qenë katastrofik. 58 golat e pësuar në 23 ndeshje të luajtura janë shifrat më të larta në këtë fazë të sezonit në Ligue 1 nga një klub që nga viti 1976. Në mënyrë simbolike, Bordeaux humbi për herë të parë në 44 vjet në shtëpi përballë rivalit të hidhur, Marseillet, këtë sezon. Dhe për të shtuar zemërimin dhe dhimbjen e tifozëve, klubi pësoi humbjen më të thellë në Ligue 1 që nga viti 1986 nga Rennesi, që e mposhti 6:0. E kombinuar me humbjen 5:0 në udhëtim te Reimsi fundjavën e kaluar, poshtërimi çoi në shkarkimin e trajnerit Vladimir Petkoviq, vetëm shtatë muaj pasi ai e mori drejtimin e Bordeauxit.
Petkoviq më parë ishte në krye të Zvicrës dhe e udhëhoqi deri në çerekfinale të “Euro 2020” pasi e eliminoi Francën pas penalltive në 1/8 e finales. Petkoviq, i cili kishte edhe 18 muaj të mbetur për të përfunduar kontratën e tij, u shkarkua nga klubi që zë vendin e parafundit në tabelë dhe të dielën luan në udhëtim kundër Lensit.
EdheMe vetëm katër fitore deri më tani, Bordeauxi mbetet 36 pikë pas liderit, PSG-së, i cili pret Rennesin të premten. Sipas gazetës “L’Equipe”, ish-trajneri i Reimsit, David Guion – i njohur për aftësinë e tij për të ndërtuar skuadra të forta mbrojtëse – do të zëvendësojë Petkoviqin te Bordeauxi. Muajin e kaluar Bordeauxi largoi disa lojtarë, përfshirë ish-mbrojtësin e Arsenalit dhe Francës, Laurent Koscielnyn, në një përpjekje për të kursyer para për pagat.
Klubi pritet të ketë humbje prej 64 milionë euro deri në fund të këtij edicioni. Megjithatë, Bordeauxi nuk është i vetmi klub me të kaluar të lavdishme që ka pasur vështirësi në futbollin francez. Saint-Etienne, skuadra me 10 tituj kampioni, po përballet me një situatë të ngjashme dhe qëndron në fund të renditjes me 18 pikë, dy më pak se Bordeauxi.