Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Alain Giresse, është ikonë e klubit francez, Girondins de Bordeaux. Ky klub të martën ka prekur pikë të ulët – është dërguar me vendim administrativ në kategorinë e tretë franceze. Boredauxi luajti në elitën e Francës në edicionin e fundit, 2021/2022. Përfundoi i fundit dhe në edicionin e ardhshëm është dashur të paraqitet në Ligue 2. Por për shkak të telasheve financiare, Bordeauxi është dërguar në kategorinë e tretë franceze.
Vendimin e mori një organ që mbikëqyr financat në futbollin francez, DNCG. Vendimi u mor të martën dhe nëse ai mbetet në fuqi, Bordeauxi i famshëm në edicionin e ardhshëm luan në kategorinë e tretë të Francës.
Bordeauxi ka një javë për të apeluar vendimin dhe më pas dy javë të tjera për të prezantuar situatën te organi mbikëqyrës.
RMC Sport ka raportuar se klubi ka deficit prej 40 milionë eurosh. Presidenti i Bordeauxit, Gerard Lopez, do ta apelojë menjëherë vendimin. Vjet Bordeauxi ishte dërguar në Ligue 2, por e fitoi apelin dhe mbeti në Ligue 1, pasi Lopez mori drejtimin e klubit. Lopez të martën ka paraqitur një plan për të paguar borxhet, por plani nuk ishte bindës për organin mbikëqyrës.
“Girondins de Boredeaux do të apelojë vendimin e DNCG-së për ta dërguar klubin në National 1”, thuhet në një komunikatë të klubit. Vendimi është cilësuar brutal.
Alain Giresse i ka plot 592 ndeshje për Bordeauxin. Mban rekordin për paraqitje me skuadrën. Rekordin e ka edhe për gola të shënuar, gjithsej 182. Giresse, tani 69-vjeçar, ka luajtur për Bordeauxin nga viti 1970 e deri në vitin 1986. Rënia në kategorinë e tretë natyrisht e ka brengosur selektorin aktual të Kosovës.
“Është e paimagjinueshme. Prej se klubin e morën amerikanët, nuk kemi mundur të bëjmë më keq. Ky klub po vdes ngadalë. Po frikësohem se do të zhduket plotësisht. Është situatë e çmendur”, ka thënë Giresse për Europe 1, të martën.
Giresse përcjell rregullisht ndeshjet e skuadrës së zemrës. Ai ka folur me drejtuesit amerikanë të klubit. Ka treguar se është mahnitur me mënyrën se si ata kanë dashur ta drejtojnë klubin. Por planet e paraqitura duket se nuk janë realizuar as për së afërmi. Dhe Giresse mbetet plotësisht i dëshpëruar. Tekniku francez rregullisht analizon paraqitjet e Bordeauxit dhe situatën e klubit. Për Bordeauxin flet rregullisht në mediat franceze.
Giresse, emër i njohur i futbollit në Francë, në muajin shkurt mori drejtimin e Kosovës. Pas dy humbjeve nga Greqia, pakënaqësia ndaj tij në Kosovë është rritur ndjeshëm.