Për një ekip që humb lojtarët më të mirë është vështirë të synojë një vend në garat evropiane. Megjithatë, Rennesi e ka arritur këtë sukses në pesë sezonet e fundit. Rennesi synon një vend në Ligën e Kampionëve kur të nisë kampanjën e tij në ligën franceze të dielën kundër Lorientit.
“Duhet të jemi ambiciozë”, thotë drejtori sportiv i Rennesit, Florian Maurice. “Përfunduam të katërtit sezonin e kaluar, do të përpiqemi të bëjmë më mirë këtë sezon”.
Rennesi luajti futboll shumë argëtues sezonin e kaluar për të fituar një vend në Ligën e Evropës, duke shënuar 82 herë në 38 ndeshje të Ligue 1. Bruno Genesio ishte trajneri i vitit. Vetëm kampioni Paris Saint-Germaini ishte më efikas në ligë me 90 gola të realizuar. Por humbja e Ligës së Kampionëve të pasur me para për vetëm tri pikë, la një “shije të hidhur” për miliarderin francez, Francois Pinault, aksionari kryesor i Rennesit që nga viti 1998.
“Ishte një sezon i bukur me disa momente të bukura futbolli”, tha Pinault. “Do të ishte më bukur me një përfundim në vendin e dytë dhe pjesëmarrjen në Champions. Shpresoj ta arrijmë këtë sezon”.
Pinault ka pritshmëri të mëdha, sepse klubi është përmirësuar në vitet e fundit. Rennesi fitoi një Kupë të tretë të Francës në vitin 2019, por trofeun e parë nën pronësinë e Pinaultit. Pastaj vendi i tretë në vitin 2020 ishte përfundimi më i mirë i ligës në historinë e klubit.
Një ndërtim i zgjuar i skuadrës ka qenë sekreti i këtij suksesi. Qasja e Rennesit është pothuajse e kundërta me atë të PSG-së. Nuk ka asnjë yll të vërtetë në ekip. Në thelb, Rennesi është ndërtuar rreth një bërthame franceze të nënvlerësuar. Mbrojtësit Warmed Omari dhe Adrien Truffert, mesfushorët Flavien Tait, Baptiste Santamaria dhe Benjamin Bourigeaud, dhe sulmuesit Martin Terrier dhe Gaetan Laborde janë të gjithë titullarë të rregullt. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka asnjë paraqitje me Përfaqësuesen e Francës. Sezonin e kaluar, Terrier ishte i treti në ligë me 21 gola, pas vetëm sulmuesit të PSG-së, Kylian Mbappe, dhe sulmuesit të Monacos, Wissam Ben Yedder. Bourigeaud pati një sezon fantastik me 11 gola dhe 13 asistime, ndërsa Laborde shtoi 15 gola dhe tetë asistime.
Ata pak ndërkombëtarë në Rennes nuk janë emra të mëdhenj dhe nuk kushtuan tarifa të larta: portieri i Senegalit, Alfred Gomis, mbrojtësi i djathtë i Malit, Hamari Traore, dhe mesfushori kroat, Lovro Majer. I krahasuar shpesh si Luka Modriqi i ri, Majer u transferua nga Dinamo e Zagrebit verën e kaluar për një tarifë të raportuar prej 12 milionë eurosh. Majer shpejt doli të ishte një investim i zgjuar me gjashtë gola dhe tetë asistime në ligë. Por si një pengesë për zhvillimin dhe kërkimin e tij të nivelit të lartë, Rennesi është bërë pa dashje një klub ushqyes. Ousmane Dembele, Eduardo Camavinga dhe adoleshenti Mathys Tel e mësuan këtë zanat në akademinë e të rinjve në Rennesi.
Ata u paraqitën aq mirë sa tërhoqën vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane. Dembele iu bashkua Borussia Dortmundit në vitin 2016 për një tarifë fillestare prej 15 milionë eurosh. Camavinga u nënshkrua nga Real Madridi në vitin 2021 për 30 milionë euro.
Rennesi nuk mundi t’i shmangë përpjekjet e Bayern Muenchenit për të joshur Telin dhe iu desh ta linte të ikte javën e kaluar për 20 milionë euro që me bonuse mund të shkojë deri në 28.5 milionë euro. Klubi gjithashtu ka bërë fitime nga lojtarët me një strategji agresive rishitjeje. Portieri i Senegalit, Edouard Mendy, u soll nga Reimsi në vitin 2019 përpara se të largohej për te Chelsea një vit më vonë. Po ashtu, anësori brazilian Raphinha erdhi nga Sportingu i Lisbonës në 2019 dhe u shit te Leeds Unitedi vitin e ardhshëm, ndërsa tani është pjesë e Barcelonës.
Këtë verë, mbrojtësi i Marokut Nayef Aguerd shkoi në West Ham United pas dy sezonesh në Rennes. I sigurt në skautimin e tij, Rennesi ka rrezikuar me dy të rinj duke paguar më shumë se zakonisht për transferimin e tyre - anësorin belg Jeremy Doku nga Anderlechti në vitin 2020 dhe anësorin ganez, Kamaldeen Sulemana, nga Nordsjaellandi në vitin 2021.
Deri më tani, basti nuk është paguar pasi zhvillimi i tyre ishte penguar nga lëndimet sezonin e kaluar. Doku është nënshkrimi më i shtrenjtë në historinë e Rennesit me një tarifë prej 26 milionë eurosh. Pavarësisht ambicieve të pronarit Pinault, Rennesi ka qenë i arsyeshëm në shpenzimet e tij në krahasim me dy fuqitë e mëdha të futbollit francez, PSG dhe Marseille.
Rennesi bëri një humbje neto të kombinuar prej 22.7 milionë eurosh nga viti 2018 deri në vitin 2021, sipas raporteve vjetore nga DNCG (Drejtoria Kombëtare e Kontrollit të Menaxhimit), mbikëqyrësi financiar i futbollit francez. Në anën tjetër, PSG-ja dhe Marseille respektivisht bënë një humbje neto të kombinuar prej më shumë se 320 milionë eurosh dhe më shumë se 265 milionë euro nga 2018 deri më 2021.