Futboll

Më i miri në botë, Dembele, më në fund shfaqi potencialin

Ousmane Dembele

“Nëse shfrytëzohet si duhet, ai mund të bëhet lojtari më i mirë në botë”. Kjo deklaratë e guximshme nga ish-trajneri i Barcelonës, Xavi, në vitin 2021, përmbante atë që Ousmane Dembele e kishte dëgjuar gjatë gjithë karrierës së tij.

Disa ngritën vetullat dhe shumë dyshuan se francezi i paqëndrueshëm do të ishte ndonjëherë në gjendje të arrinte lartësitë e parashikuara për të. Ai u bë lojtari i dytë më i shtrenjtë në botë kur kaloi te Barcelona nga Borussia Dortmundi në një marrëveshje prej 155 milionë euro në vitin 2017. 

Pas një udhëtimi me shumë ulje e ngritje, gjatë të cilit luftoi me lëndime të shumta, 28-vjeçari më në fund e realizoi atë që e parashikoi Xavi. Të hënë Dembele e pranoi Topin e Artë, që i ndahet lojtarit më të mirë në botë. Për këtë trofe ka ëndërruar gjatë.

Derisa falënderoi familjen e sidomos nënën për sakrificat dhe ndihmën, Dembele shpërtheu në lot, një shenjë e rrugëtimit që ka përjetuar gjatë gjithë karrierës së tij.

Edicioni i jashtëzakonshëm 2024/2025 i Dembeles e ndihmoi PSG-në të fitonte titullin në Ligue 1, Kupën e Francës dhe Ligën e Kampionëve, para se të arrinte në finalen e Kupës së Botës për Klube. Ai shënoi 35 gola dhe regjistroi 14 asistime në të gjitha garat. Pas një fillimi të qetë të edicionit, ishte sulmuesi më në formë në Evropë.

Arritjet e tij nuk mund të nënvlerësohen. Ai ka mposhtur Mohamed Salahun e Liverpoolit, që ishte i përfshirë në gola më shumë se çdo lojtar tjetër në Evropë. E mposhti Kylian Mbappen e Real Madridit, i cili realizoi më shumë gola dhe kaloi shkëlqimin e Lamin Yamalit dhe Raphinhas te Barcelona.

Transformimi i Dembeles filloi në Barcelonë disa vjet para se të bashkohej me PSG-në. Kjo ndodhi pasi sulmuesi filloi t’i shihte gjërat ndryshe. I pëlqente ideja e të qenit yll dhe u ftua që të ishte ambicioz te PSG-ja.

Largimi i Mbappes për te Real Madridi, hapi rrugë të reja për Dembelen në klubin parisien. Trajneri Luis Enrique i tha Dembeles se prej tij kërkohen gola dhe se tani duhet të jetë më egoist.

Stafi i trajnerëve vazhdonte t’i thoshte “Topi i Artë, Topi i Artë”, gjë të cilën e dëgjoi edhe të hënën mbrëma derisa po dilte në skenë për ta pranuar trofeun e çmuar.

Si lulëzoi Dembele pas largimit të Mbappes?

Në gusht të vitit 2023, PSG-ja e bleu reprezentuesin e Francës për vetëm 49 milionë euro. Në edicionin e parë ai shënoi gjashtë gola dhe bëri 14 asistime derisa PSG-ja fitoi ligën dhe kupën. Por nuk ishte lojtari kryesor. Mbappe ishte aty, ndërsa shënoi 44 gola në edicionin më të mirë te PSG-ja nga shtatë gjithsej. Doli të ishte edhe i fundit, pasi Real Madridi po insistonte për ta transferuar.
Nga PSG-ja u larguan edhe yje të tjerë dhe skuadra kishte nevojë për një udhëheqës të ri. Ishte mundësi për Dembelen.

Mundësi që e shfrytëzoi maksimalisht. Shifrat e tij të golave ishin të pakrahasueshme me edicionet e kaluara. Kur Enrique i tha se prej tij kërkohen gola dhe asistime, Dembele e kishte lirinë e plotë për një qasje më egoiste, që nënkuptonte më pak pasime dhe më shumë dëshirë për të shënuar.

Stafi i trajnerëve të Parisit i ka thënë shpesh që nëse e rrit përqindjen e golave nga rastet që krijon, kjo do të sjellë sukses kolektiv dhe më pas edhe çmime individuale. Dembele i mori të gjitha parasysh dhe shijoi rolin e tij të ri.

Në edicionin 2023/2024 ai luante kryesisht në krahun e djathtë. Qendra e sulmit ishte për Mbappen. Tani ai luan kryesisht si nëntëshe fals. Është pra në qendër, ndonëse pak më i tërhequr. Gëzon liri më të madhe për të pranuar pasimet, merr pjesë në ndërtimin e aksioneve dhe i përfundon shpesh ato.
Një rol i ri dhe një futbollist i ri.

Çka ndryshoi te Dembele?

Është gabim të mendohet se rritja e Dembeles ka të bëjë vetëm me largimin e Mbappes. Ky ishte vetëm hapi i fundit. 

Pavarësisht se nuk pati lëndime në Rennes dhe Dortmund, ai pësoi plot 14 lëndime muskulore gjatë kohës te Barcelona. I kaloi plot 784 ditë jashtë fushës.

Shqetësimet për disiplinën dhe profesionalizmin e tij bën që klubi t’i caktonte kuzhinier privat. Daljet e vonshme ndikuan në vonesa në stërvitje, duke e bërë atë lojtarin më të dënuar të klubit në vitet e fundit. 

Por kur ishte në formë, ritmi i tij dhe driblimet e bënin lojtar që ndryshonte lojën. Ai jepte shkëndija të talentit për të cilin Barcelona investoi.

Pra, çka e ndryshoi atë?

Ata që e njohin mirë Dembelen, që janë të paktë, thonë se ai ndryshoi pasi u martua me të dashurën, Rima, në Marok në dhjetor të vitit 2021. Menjëherë çifti u bë me fëmijë. Dasma erdhi si surprizë për shumë nga shokët e tij të ekipit. Disa prej tyre as që e dinin se ai kishte partnere.

Kështu, ndryshimet e mëdha në jetën e tij ndodhën në dy edicionet e fundit në Barcelonë. Faktikisht ai u rrit.

Dembele punonte në shtëpi me një fizioterapist dhe shkonte shpesh në Francë për trajtime të specializuara preventive. Me sytë dhe mendjen e një babai, ai filloi t’i shihte gjërat ndryshe. Më në fund e kuptoi rëndësinë e të ushqyerit të mirë dhe gjatë edicioneve të fundit ka punësuar një nutricionist francez. Ai e ka ndihmuar të mbajë stil jetese të shëndetshëm.

Forma e Dembeles u përmirësua ndjeshëm dhe PSG-ja më në fund e fitoi titullin evropian. Ashtu si pritej u udhëheq nga një yll francez. Por nga Dembele, jo nga Mbappe.