Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka janë nga Kosova. Këtë fakt e përmendin edhe në Federatën e Futbollit të Zvicrës. Zviceranët vlerësojnë kontributin e madh që kanë dhënë Shaqiri e Xhaka për Përfaqësuesen “helvetike” për më shumë se një dekadë. Natyrisht, nuk ka munguar kontributi edhe nga disa lojtarë të tjerë shqiptarë. Te Zvicra vlerësojnë edhe kontributin e kosovarëve që punojnë dhe jetojnë në Zvicër.
Kosova e Zvicra do të takohen për herë të dytë në ndeshje futbolli. Takimi i dytë mes dy përfaqësueseve, më 9 shtator, do të ketë tjetër peshë prej atij të marsit të vitit të kaluar në Zuerich. Ndeshja Kosova – Zvicra i takon Grupit I të kualifikimeve të “Euro 2024”. Do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20:45. Biletat tashmë janë shitur, ndërsa shikuesit pritet të kenë rastin t’i shohin nga afër dy yjet e futbollit, Xhakën dhe Shaqirin.
Te Zvicra llogarisin në pritje të ngrohtë nga populli i Kosovës.
“Mendoj se po, për shkak të rrethanave të veçanta. Është një lojë mes miqsh dhe një lojë në frymën e miqësisë së veçantë. Shumë kosovarë kanë bërë shumë për Zvicrën. Kjo është arsyeja pse me siguri do të ketë një atmosferë të ngrohtë përreth. Megjithatë, në fushë të dyja skuadrat do të luftojnë për pikë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe aty do të përfundojë miqësia për 90 minuta. Dhe e vetmja gjë që ka rëndësi është fitorja”, ka thënë drejtori për komunikim me mediat i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Adrian Arnold, të dielën për KOHËN.
Arnold ka konfirmuar se Shaqiri dhe Xhaka do të jenë në Prishtinë. Krahas Shaqirit dhe Xhakës, përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka ftuar për ndeshjet e shtatorit edhe Ardon Jasharin dhe Uran Bislimin.
Bislimi ka luajtur në të kaluarën për Kosovën. Por tani e përfaqëson Zvicrën.
“Ata të dy (Xhaka e Shaqiri v.j.) do të jenë aty. Sigurisht që do të jetë një udhëtim i veçantë për ta, sepse kanë shumë të afërm dhe të njohur në Kosovë. Por ata janë mjaft profesionistë dhe e dinë që në 90 minutat në fushë nuk ka vend për asnjë mendim tjetër përveç futbollit dhe fitores për ekipin tonë”, është shprehur Arnold.
Shaqiri u lind në Gjilan, ndërsa Xhaka në Zvicër. Si Shaqiri ashtu edhe Xhaka kanë lidhje të ngushtë me Kosovën, të cilën e kanë prezantuar në forma të ndryshme.
Te Zvicra presin maksimumin nga Shaqiri dhe Xhaka, ashtu siç kanë bërë edhe në të kaluarën. Shaqiri ka luajtur për Zvicrën 114 ndeshje, ndërsa ka shënuar 27 gola. Kurse Xhaka ka 115 ndeshje dhe ka kontribuar me 13 gola. Xhaka është kapiten, ndërsa Shaqiri zëvendëskapiten.
“Bëhet fjalë për pikë vendimtare për të gjithë ne, të cilat na duhen dhe duam t’i fitojmë për t’u kualifikuar në Evropianin e vitit 2024 në Gjermani. Kjo vlen për Xhakën dhe Shaqirin po aq sa për të gjithë lojtarët e tjerë të Përfaqësueses zvicerane”, ka theksuar Arnold.
Zvicra do të mbërrijë në Kosovë të premten, një ditë para ndeshjes me Kosovën. Në Kosovë nuk ka planifikuar të mbajë stërvitje. Te kampi zviceran kanë një shpjegim pse kanë vendosur që të mos stërviten në Prishtinë.
“Kemi kushte të shkëlqyera stërvitore në Valais, ku përgatitemi për dy ndeshjet kundër Kosovës dhe Andorrës. Prandaj vendosëm që stërvitjen e fundit ta bëjmë atje për shkak të kohës së shkurtër të përgatitjes. Megjithatë, ne do të fluturojmë të premten pasdite në mënyrë që të premten në mbrëmje të kemi konferencën për shtyp në Prishtinë”, është shprehur Arnold.
Zvicra nga Prishtina synon të kthehet me pikë maksimale. Arnold thotë se me padurim presin të paraqiten në Prishtinë.
“Ne e presim me padurim këtë lojë. Te Kosova ka shumë lojtarë që kanë marrëdhënie të veçantë me Zvicrën ose që luajnë dhe jetojnë në Zvicër. Dhe anasjelltas, kemi lojtarë që kanë prejardhje familjare dhe miq e njohje në Kosovë. Edhe pse kjo e bën një lojë të veçantë, ne do të përgatitemi për të si për çdo lojë tjetër”, ka thënë Arnold.
Zvicra është lidere me dhjetë pikë nga katër ndeshje, ndërsa Kosova e parafundit (5) me tri pikë. Zvicra ndeshjen e dytë të shtatorit e luan ndaj Andorrës, kurse Kosova kundër Rumanisë.