Granit Xhaka ka luajtur disa ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri”. Pas ndeshjeve revyale është larguar mes duartrokitjeve nga fusha e stadiumit të qytetit në Prishtinë.
Mesfushori pritet të paraqitet edhe një herë në stadiumin që mban emrin e ikonës së futbollit kosovar. Ndeshja do të ketë karakter tjetër.
Ylli i Arsenalit, Xhaka, dhe ai i Chicago Fire, Xherdan Shaqiri, me shumë mundësi do të jenë pjesë e Zvicrës që më 9 shtator luan ndaj Kosovës në Prishtinë. Kjo ndeshje u takon kualifikimeve për “Euro 2024”.
Xhaka e Shaqiri janë futbollistët më të suksesshëm shqiptarë. Shumë shpesh i kanë bërë krenarë gjithë shqiptarët. Kjo së fundmi ndodhi në Botërorin në Katar, kur Shaqiri e Xhaka ishin protagonistë në fitoren ndaj Serbisë.
Përkrahja ndaj tyre ishte e jashtëzakonshme.
Rrjedhimisht te Zvicra presin që Xhaka e Shaqiri të priten ngrohtë nga publiku në Kosovë.
“Nuk e di se si do të priten Xhaka dhe Shaqiri në Prishtinë, por supozojmë se ata do të priten mirë. Dhe ne, natyrisht, do të ishim të kënaqur nëse tifozët kosovarë do t’u dhuronin pritje korrekte dhe të ngrohtë”, thuhet në një përgjigje për KOHËN të Adrian Arnoldit, shef i komunikimit në Federatën e Futbollit të Zvicrës.
Kosova e Zvicra kanë luajtur miqësore vjet. Ndeshja në Zuerich kishte përfunduar 1:1. Xhaka e Shaqiri ishin titullarë.
Ata janë prej lojtarëve kryesorë te Zvicra. Edhe në ciklin e ri kualifikues, kapiteni Xhaka dhe zëvendëskapiteni Shaqiri pritet të kenë rol kyç në Përfaqësuesen helvetike. Në Botërorin e Katarit pjesë e Zvicrës ishte edhe Ardon Jashari, që pritet të ftohet sërish.
Zëdhënësi Arnold i ka vlerësuar miqësore edhe ndeshjet kualifikuese që do të zhvillohen në mes të Kosovës dhe Zvicrës.
“Natyrisht, këtë herë do të jetë më e rëndësishme se ndeshja e vitit të kaluar. Por ne çdo ndeshje kundër Kosovës e konsiderojmë ndeshje mes miqve, sepse një komunitet i madh i kosovarëve jeton në Zvicër dhe shumë futbollistë kosovarë luajnë në ligat tona në Zvicër”, ka thënë zyrtari i Federatës zvicerane.
Kosova e Zvicra janë pjesë e grupit I së bashku me Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Para se të luajnë në Prishtinë, Xhaka, Shaqiri dhe shqiptarë të tjerë të Zvicrës do të paraqiten në Serbi.
Për 25 mars, në stadiumin “Karagjorgje” në Novi-Sad, është caktuar ndeshja Bjellorusia – Zvicra. Ndeshja do të luhet pa shikues.
Ndërkohë nuk është vendosur stadiumi se ku Zvicra do ta presë Kosovën. Ajo ndeshje është më 18 nëntor.
“Për momentin ende nuk është e qartë se në cilin stadium do të zhvillohet ndeshja. Në momentin që caktohet vendi dhe nënshkruhet kontrata për atë stadium, ne do ta bëjmë publike”, ka thënë Arnold-i.
Në Botërorin në Rusi, por edhe në atë në Katar, Shaqiri e Xhaka kanë bërë krenarë gjithë shqiptarët. Është vlerësuar se ata pos Zvicrës kanë përfaqësuar edhe shqiptarët. Dhe pritja e ngrohtë e korrekte ndaj tyre është më e pakta që mund të bëhet si falënderim për momentet e krenarisë që ua kanë ofruar gjithë shqiptarëve nëpër botë.