Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Zvicra do ta shqyrtojnë dënimin e Jasharit

Federata e Futbollit e Zvicrës nuk e ka përjashtuar mundësinë e sanksionimit të Ardon Jasharit për shkak të refuzoi ftesën që të grumbullohet me përfaqësuesen U21.

Kështu ka raportuar të hënën gazeta zvicerane “Blick”.

Kapiteni i Luzernit ka vendosur të refuzojë ftesën e Shpresave të Zvicrës, ndërsa është në dispozicion të përfaqësueses A të Zvicrës, por është vetëm në listën rezervë. Në federatën zvicerane aspak nuk e kanë mirëpritur këtë refuzim të Jasharit. Madje, drejtori Pierluigi Tami ka zbuluar se janë shumë të zhgënjyer. Tami ka thënë se derisa ta mësojnë arsyen e vërtetë të refuzimit të ftesës nuk do të ndërmarrin sanksione ndaj Jasharit. Megjithatë, ai ka thënë se në rast të sanksioneve, Jashari më nuk do të ftohet kurrë nga ekipi U21, ndërsa mund të penalizohet edhe nga ekipi A i Zvicrës,

“Në federatë janë të zhgënjyer dhe nuk e kanë pranuar mirë këtë refuzim. Aktualisht, nuk po flasim ende për sanksione ndaj tij”, është shprehur Tami. “Së shpejti selektori Murat Yakin do të takohet me futbollistin për të zbuluar se për çfarë arsye nuk ishte në dispozicion të ekipit U21, siç na njoftoi ne. Nëse nuk ka ndonjë arsye të fortë apo të vlefshme për refuzimin e ftesës, atëherë ne do të flasim për sanksione”.

Tami nuk ka dashur të flas apo parashikoj se cilat mund të jenë pasojat për Jasharin, nëse nuk e arsyeton refuzimin e ftesës.

Ekipi U21 i Zvicrës është grumbulluar për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2025” që i zhvillon kundër Armenisë dhe Rumanisë.

“Ekipi U21 është shumë i rëndësishëm për federatën, por edhe futbollistët gjithashtu. Ka qenë një trampolinë për kalimin në ekipin A për shumë lojtarë. Përvoja ndërkombëtare është e rëndësishme për çdo lojtar dhe në Zvicër jo të gjithë mund të marrin pjesë në garat evropiane”, ka thënë Tami, i cili ka insistuar se shpresat e Zvicrës janë ekipi i ardhshëm senior.

“Për këtë arsye në kërkojmë nga të gjithë lojtarët që të identifikohen me përfaqësuesen. Nuk është me rëndësi a është A apo U21. Aktualisht po punojmë me disa lojtarë të rinj që janë shumë të motivuar. Për Jasharin do të flasim më vonë”.

Tami ka zbuluar arsyen se përse Jashari është në listën rezervë të ekipit A, përkundër që refuzoi ftesën e ekipit U21.

“Pikë të pari lista është bërë para se Jashari të na njoftoj se nuk do të bashkohet me ekipin U21. Dhe së dyti, të gjithë lojtarët e ekipit U21 janë gjithmonë në listën rezervë të ekipit A”, u arsyetua Tami.

Jashari ka shtatë paraqitje me ekipin U21, ndërsa me ekipin A të Zvicrës ka zhvilluar dy ndeshje. Përfaqësuesja A e Zvicrës është grumbulluar të hënën për duelet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Zvicra i luan tri ndeshje, me Izraelin (15 nëntor), Kosovën (18 nëntor) dhe Rumaninë (21 nëntor). Aktualisht Zvicra zë vendin e dytë në Grupin I me 15 pikë të mbledhura, një më pak se Rumania që prinë por që ka edhe një ndeshje më shumë të luajtur.

Artikuj të ngjashëm