Futboll

Te Zvicra thonë se Shqipëria nuk ishte kurrë opsion për Jasharin

Ardon Jashari

Ardon Jashari ka gati dy vjet që kërkon një vend në ekipin zviceran, përkatësisht paraqitjen e tretë. Mesfushori 22-vjeçar luajti disa minuta kundër Portugalisë në 1/8 e finales të Kupës së Botës 2022. Ishte thirrur një herë në vjeshtën e vitit 2023, përpara se të përfshihej në ekipin e Zvicrës për “Euro 2024”, por pa u paraqitur asnjë minutë në fushë.

Mund të ketë ardhur koha për lojtarin e ri të Club Brugge, të cilit iu bashkua verën e kaluar. Paraqitjet e tij në Belgjikë po vlerësohen. Dhe, në procesin e përtërirjes së ekipit nga Murat Yakin, ai mund të luajë, ndonëse nuk mund të paraqitet para Granit Xhakës apo Remo Freulerit.

Fakti është që Ardon Jashari është aty. Ai mbërriti mëngjesin e së hënës në Zurich, ku u grumbullua përfaqësuesja. Ai iu përgjigj pozitivisht thirrjes. Iu përgjigj thirrjes së Zvicrës edhe nëse mund të ketë pasur një dyshim të vogël pas intervistës dhënë për një medium në Belgjikë, ku pohoi në mënyrë legjitime përkatësinë e tij dhe origjinën.

“Jam rritur në Zvicër, por ndihem 100 % shqiptar”, tha ai. “Personaliteti im është shqiptar, në shtëpi jemi shqiptarë. Ne bëjmë gjëra që bëjnë fëmijët zviceranë, por...”.

Mjafton për të lënë hapësirë për interpretime.

Fjalëve të thëna nga Jashari iu është kthyer Pierluigi Tami, drejtori i ekipeve përfaqësuese të Zvicrës.

“Disa deklarata ndonjëherë mund të priten keq nga njerëzit, por duke folur për një kohë të gjatë me Jasharin, mund të them se ai ndihet 100 % shqiptar dhe 100 % zviceran”, i ka dalë në mbrojtje Tami.

Kur Jashari duhej të zgjidhte përfaqësuese, asnjëherë nuk bëhej fjalë për Shqipërinë. Ai donte të luante për Zvicrën dhe në çdo rast mund të luajë vetëm për Zvicrën.

Në të vërtetë, paraqitja në dy ndeshjet zyrtare, në Ligën e Kombeve kundër Çekisë në shtator dhe në vitin 2022 në Botëror, Jasharit ia bëjnë të pamundur ndryshimin e përfaqësueses. Nëse ai synon të ketë një karrierë ndërkombëtare, Zvicra është përfaqësuesja e vetme ku mund të luajë.

Fakti që ai është i pranishëm në këtë grumbullim, u jep fund pyetjeve.