Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Jashari nuk e ka të sigurt rikthimin te Zvicra

Ka shumë dyshime nëse Ardon Jashari do të jetë sërish pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës, ndonëse ka pasur bisedime mes tij dhe Federatës së Futbollit të Zvicrës. Kështu ka shkruar gazeta e madhe “Blick” të enjten. Gazeta zvicerane ka shtuar se ylli i mesfushës së Luzernit është në dyshim për t’u paraqitur me fanellën e helvetikëve për ndeshjet e muajit mars.

Zvicra muajin e ardhshëm do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore. Do të përballet ndaj Danimarkës dhe Irlandës. Të dyja miqësoret i luan në udhëtim. Ndërkohë, ndeshjet e muajit qershor kundër Estonisë dhe Austrisë i luan në shtëpi. Janë edhe dy ndeshjet e fundit para Evropianit, që këtë verë mbahet në Gjermani.

Zvicra është në Grupin A bashkë me nikoqiren, Gjermaninë, Skocinë e Hungarinë.

Jashari 21-vjeçar flet shumë në fushën e lojës, por është thuajse i heshtur jashtë saj.

Ai nuk ka folur asnjë fjalë për përfaqësuesen helvetike dhe të gjithë kërkojnë përgjigje pse ai refuzoi grupmoshën U21 në muajin nëntor. Njerëzit përreth tij kanë thënë se është bërë për arsye të mira.

Por Federata zvicerane e futbollit ka dashur më shumë qartësi rreth situatës së krijuar dhe e ka ftuar në takim talentin shqiptar të mesfushës.

Te Përfaqësuesja e Zvicrës kanë thënë se nuk do të ketë dënim të planifikuar për Jasharin.

Por nëse ai do të jetë në përfaqësuese, debati do të nisë që nga dita e hënë, pasi brenda tri javësh skuadra do të nisë përgatitjet për duelet miqësore.

Jashari vlerësohet shumë i rëndësishëm edhe te Përfaqësuesja U21. Përzgjedhësi i kësaj grupmoshe U21, Sascha Tauch, do të dëshironte që ta ketë Jasharin për duelin kualifikues kundër Shqipërisë U21 në udhëtim, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”.

Zvicra U21 është e para në Grupin E me 11 pikë, një më shumë se Rumania e dy më shumë se Shqipëria.

Megjithatë, Jashari është plotësisht i koncentruar te skuadra e Luzernit aktualisht. Ai po jep kontribut të vazhdueshëm te skuadra zvicerane. Momentalisht është në zonën e grupit që lufton për titull kampioni.

Luzerni është i gjashti me 34 pikë, aq sa ka edhe Lugano në vendin e pestë.

Në Zvicër, nga vendi i parë deri te i gjashti luajnë në plejof për titull kampioni. Vendi i shtatë dhe i fundit, i 12-ti, janë në garë për mbetje në elitë.

Ndeshjen e radhës, Luzerni e luan në udhëtim te Grasshopperi, të shtunën, ndeshje që nis nga ora 20:30. Grasshopperi është i nënti me 28 pikë.

Jashari në edicionin aktual ka zhvilluar 29 paraqitje në të gjitha garat. Ka kontribuuar me pesë gola të shënuar e tri asistime, ndonëse luan në pozitën e mesfushorit defensiv.

Por kualitetet e tij bëjnë që ai të luajë edhe në pozita të tjera.

Kundër Zuerichut në humbjen 1:0 në ndeshjen e fundit, Jashari luajti në pozitën e mesfushorit të avancuar.

Por ky “eksperiment” nuk do të përdoret më nga trajneri Mario Frick.

“Për fat të keq, ai pati pak topa dhe për këtë arsye nuk shfaqi më të mirën”, ka thënë trajneri i Jasharit.

Megjithatë, ai ka shtuar se Jashari ndihet mirë aty.

“Atij i pëlqen kur e merr topin dhe lëviz para. Është shumë e rëndësishme për të që të kontribuojë për skuadrën. Ai dëshiron të shënojë gola dhe është prej lojtarëve të rëndësishëm”, ka thënë Frick.

Transferimi te një skuadër e madhe dhe rikthimi në Përfaqësuesen A të Zvicrës janë dy synimet e mëdha të Jasharit në vitin 2024.

Artikuj të ngjashëm