Futboll

Zvicra starton fuqishëm me dyshen Xhaka – Jashari në mesfushë

Jashari & Xhaka

Ka kohë që mediat zvicerane kanë shkruar për mundësinë që dyshja e mesfushës në përfaqësuesen helvetike të përbëhet nga Granit Xhaka dhe Ardon Jashari. Në fitoren 4:2 ndaj Meksikës javën e kaluar, selektori Murat Yakin nuk vendosi për këtë dyshe. Jashari e zëvendësoi Xhakën për pjesën e dytë.

Por dy shqiptarët startuan te Zvicra në mbrëmjen mes së martës e së mërkurës, në ndeshjen e fituar lehtë ndaj SHBA-së, 4:0. Ndeshja miqësore në Nashville të SHBA-së u vendos që në pjesën e parë. Jashari ishte prej më të mirëve, duke kontribuuar në dy prej katër golave. Xhaka ishte stabil po ashtu.

Kështu, turneu në SHBA ishte shumë i suksesshëm për Zvicrën, që tash e tutje pritet të luajë më shpesh, nëse jo rregullisht, me Xhakën e Jasharin në mesfushë.

SHBA-ja ka pasur mungesa të shumta dhe ka pësuar humbjen e katërt rresht. Por kjo nuk e zbeh paraqitjen e helvetikëve.

“Luajtëm me besim, kishim ide dhe në bazë të kësaj krijuam epërsi 4:0. Jam shumë i lumtur me paraqitjen time përkrah Ardon Jasharit. Me të ne kemi fituar edhe një lojtar dhe kjo garë është e mirë për të gjithë ne. Kur fiton në këtë mënyrë dhe e përfundon punën në pjesën e parë, mund të jesh i kënaqur. Përfundimisht do të jemi gati për të filluar me kualifikime në shtator”, ka thënë Granit Xhaka.

Ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin 2026, që mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, Zvicra e luan më 5 shtator ndaj Kosovës. Ndeshja e shumëpritur është caktuar të zhvillohet në Basel. Më 8 shtator, Zvicra e pret Slloveninë. Zvicra llogaritet favorite e grupit, ku bën pjesë edhe Suedia.

Xhaka ka shumë vjet që është kapiten dhe lider i pakontestueshëm i Zvicrës. Ndërkohë 22-vjeçari Jashari ka pasur një edicion plot shkëlqim te Club Brugge. Është zgjedhur lojtari më i mirë i kampionatit të Belgjikës, ndërsa shkëlqeu edhe në fazën e ligës në Champions. Rrjedhimisht është bërë kandidat i fortë për vend në ekipin bazë të Zvicrës, ku deri më tani nuk kishte shumë hapësirë.

Nga “20 Minuten”, Xhaka është vlerësuar me notën 4,5 nga 6 sa është maksimalja. Kjo gazetë ka shkruar se Xhaka e ka udhëhequr lojën mirë me Jasharin, të cilit ia ka lënë lirinë e plotë për të nisur aksionet.

Jashari është vlerësuar me notën 5. Pas dy asistimeve të Jasharit, “20 Minunten” ka shkruar se nga ky lojtar tani kërkohet edhe më shumë.

Më i miri te Zvicra u vlerësua talenti Johan Manzambi.

Të gjitha mediat zvicerane kanë shkruar për dominimin në mesfushë, falë paraqitjes së Xhakës dhe Jasharit.

Jashari po ashtu është i kënaqur me partneritetin me Xhakën.

“Kombinimi ka funksionuar mirë”, ka thënë ai. Xhaka i ka dhënë disa këshilla taktike, të cilat Jashari është munduar t’i aplikojë.

Edhe Murat Yakin ka lavdëruar lojën e dyshes së mesfushës.

“Janë harmonizuar mirë së bashku”, ka thënë Yakin për televizionin zviceran.

Jasharin mund ta presë një verë interesante. Skuadrat më të mëdha evropiane po e kërkojnë atë. Por ai po mendon fillimisht vetëm për të pushuar.