Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Rapidi presin shumë nga Krasniqi

Rapid Bukureshti ka konfirmuar transferimin e Ermal Krasniqit, ndonëse sulmuesi i krahut ende nuk është prezantuar te skuadra rumune. Rapidi ka arritur marrëveshje për transferimin e Krasniqit dy javë para hapjes së afatit kalimtar të dimrit në Rumani. Afati kalimtar i janarit do të hapet zyrtarisht më 16 janar, ndërsa Krasniqi pritet të prezantohet së shpejti te Rapidi i Bukureshtit. Krasniqi, te Rapidi do të transferohet nga Cluji dhe do të firmosë kontratë deri në verën e vitit 2025, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Drejtuesit e Rapidit kanë thënë se për Krasniqin kanë paguar një milion euro, ndërsa paga e tij mujore në klubin e ri do të jetë 18 mijë euro. Edhe pse shifra e paguar për Krasniqin nga Rapidi po vlerësohet e lartë në Rumani, Victor Angelescu, i cili është njëri prej pronarëve të ekipit nga Bukureshti, thotë se çmimi ishte i arsyeshëm. Madje, Angelescu të enjten për mediumet rumune ka arsyetuar çmimin e paguar për kartonin e Krasniqit. Sipas tij, Krasniqi vlen shumë me shumë sesa çmimi i paguar nga Rapidi, duke pasur parasysh cilësitë e tij.

“Çështja për Krasniqin tashmë është e mbyllur, pasi kemi arritur marrëveshjen me të gjitha palët dhe së shpejti do të firmoset kontrata dhe do të bëhet zyrtare. Sigurisht, është vetëm çështje ditësh para se ai të prezantohet”, është shprehur Angelescu. “Nëse shikojmë këtë edicion, Krasniqi nuk ka pasur paraqitje impresive, por kjo për shkak se Cluji e ka ndryshuar sistemin e lojës. Po ashtu, Krasniqi ka vlerë shumë më të madhe në treg, sepse bazuar në cilësitë e tij, dëmshpërblimi i paguar për të është shumë i vogël. Ai mund të luajë në dy krahët e sulmit dhe di të jetë shumë efektiv për ekipin”.

Krasniqi është 25-vjeçar dhe te Cluji ishte prej 10 janarit. Kontratën e kishte të vlefshme deri në qershor të vitit 2026. Në 39 paraqitje për skuadrën rumune i ka shënuar pesë gola, ndërsa i ka edhe katër asistime. Këtë edicion i ka 12 paraqitje në kampionatin rumun, ndërsa ka kontribuuar me dy asistime.

Rapidi është i katërti në elitën rumune. Ka 36 pikë, tetë më pak se FSCB që udhëheq në tabelë pas 21 xhirove të zhvilluara. Megjithatë, me Krasniqin në ekip, te Rapidi besojnë se do të ketë suksese këtë edicion. Trajneri Cristiano Bergodi pret shumë nga Krasniqi, të cilin e vlerëson lart. Krasniqi nuk do të jetë kosovari i vetëm te Rapidi, pasi pjesë e ekipit janë edhe Florent Hasani që iu bashkua nga Tirana, si dhe sulmuesi Albion Rrahmani, i cili po rikuperohet nga lëndimi.

“Kemi bërë lëvizje të mira, pasi Krasniqi dhe Hasani janë lojtarë të mirë, ndërsa presim edhe kthimin e Rrahmanit. Mendoj se me ardhjet e reja do të jemi edhe më të fortë, sidomos në sulm dhe mund të kemi suksese këtë edicion. Hasani është një lojtar i lirë, i cili mund të luajë në disa pozita. Jemi shndërruar në një ekip të fortë dhe besoj se do të jemi gati për pjesën e dytë të edicionit”, tha Bergodi.

Artikuj të ngjashëm