Sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, do ta vazhdojë karrierën te Rapid Bukureshti, kanë njoftuar mediat rumune të martën. Te Rapidi janë Albion Rrahmani e Florent Hasani, ndërsa tani e tutje edhe Krasniqi. Hasani është transferuar ditë më parë nga Tirana, ndërsa Rrahmani ishte transferuar më herët nga Ballkani i Suharekës. Po nga Ballkani, Krasniqi kishte kaluar te skuadra tjetër rumune, CFR Cluj.
Sipas “fanatik.ro”, Krasniqi transferohet te Rapidi nga Cluji për 1 milion euro. Clujit do t’i takojnë 20 për qind nga transferimi i ardhshëm i Krasniqit. Sipas mediumit të fuqishëm rumun, marrëveshja tashmë është arritur.
Krasniqi kërkohej edhe nga skuadra tjetër rumune, FCSB. Por Rapidi ishte më i shpejtë dhe siguroi shërbimet e kosovarit.
Krasniqi pritet të firmosë për dy vjet e gjysmë, me opsion për ta vazhduar kontratën edhe për një vit tjetër.
“Lojtari kosovar do të ketë pagë mujore prej 20 mijë eurosh”, ka shkruar “fanatik.ro”.
Dan Sucu, që ka 70 për qind të aksioneve te Rapidi, ka konfirmuar transferimin e Krasniqit.
“Mund të konfirmoj. Kolegët më njoftuan që Ermal Krasniqi është lojtar i Rapidit. E mirëpresim dhe shpresojmë që së bashku do të luftojmë për synimet që të gjithë i dimë, vendet prej një deri në tre. Pse jo, edhe për titull të kampionit”, ka thënë Sucu.
“Krasniqi është transferim që përshtatet në strategjinë e Rapidit për të ofruar lojtarë të rëndësishëm, kompetitivë, që do të bëjnë dallimin për ekipin tonë dhe tifozët tanë të shkëlqyer. Vetëm mund t’i them Krasniqit: ‘Mirë se vjen në Giulesti, Emrla!”, ka shtuar Sucu, që foli për “Fanatik”.
Krasniqi është 25-vjeçar dhe te Cluji ishte prej 10 janarit. Kontratën e kishte të vlefshme deri në qershor të vitit 2026. Në 39 paraqitje për skuadrën rumune i ka shënuar pesë gola, ndërsa i ka edhe katër asistime. Këtë edicion i ka 12 paraqitje në kampionatin rumun, ndërsa ka kontribuuar me dy asistime.
Rapidi është i katërti në elitën rumune. Ka 33 pikë, 11 më pas se FSCB që udhëheq në tabelë.