Dy prej katër përforcimeve të dimrit te Rapidi i Bukureshtit, Ermal Krasniqi e Florent Hasani, kanë insistuar se synimi i tyre është titulli i kampionit të Rumanisë. Krasniqi dhe Hasani janë prezantuar të enjten te Rapidi së bashku me dy përforcimet e tjera të janarit, si dhe kanë folur në prag të rifillimit të pjesës së dytë të kampionatit rumun. Të premten nis stinori pranveror, ku do të zhvillohen dy ndeshje.
Rapidi e pret në shtëpi skuadrën e Craiovas, në duelin që starton prej orës 19:00. Aktualisht, Rapidi është i katërti në tabelë me 33 pikë, 11 më pak se FCSB-ja që prin në tabelë. Krasniqi iu bashkua Rapidit nga Cluji, ndërsa Hasani nga skuadra e Tiranës.
Ata do të jenë bashkëlojtarë me sulmuesin Albion Rrahmani, i cili në fillim të këtij edicioni u transferua nga skuadra e Ballkanit. Edhe Rrahmani do të jetë i gatshëm për lojë të Rapidi, pasi tashmë është rikuperuar plotësisht nga lëndimi që e pësoi me Kosovën muaj më parë.
Për dallim prej Hasanit, Krasniqi ka qenë më i shkurtër në konferencën për shtyp. 25-vjeçari në pjesën e parë të këtij edicioni ka bërë dy asistime në 12 ndeshje kampionale me Clujin. Ai ka kontratë me Rapidin deri në verën e vitit të ardhshëm, si dhe ka opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.
“Unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi. Me padurim po e pres ndeshjen kundër Craiovas. I njoh tifozët e klubit, sepse kam luajtur kundër Rapidit me Clujin. Do të jap gjithçka nga vetja që të kemi rezultate sa më të mira dhe të përfundojmë sa më lart në tabelë”, ka thënë Krasniqi.
Edhe Hasani ka thënë se është shumë i lumtur që do ta bartë fanellën e Rapidit, por nuk ka hezituar të shpalosë edhe synimet që i ka me ekipin e ri. 26-vjeçari ka kontratë me ekipin rumun deri në verën e vitit 2026. Ka zbuluar se për asnjë moment nuk ka hezituar t’i bashkohet Rapidit kur e ka marrë ofertën.
“Jam shumë i gëzuar që jam te Rapidi. Kam vendosur me zemër të jem pjesë e këtij klubi. Mendoj se kemi një ekip shumë cilësor dhe sigurisht se deri në fund të edicionit do të luftojmë për vendet e para në tabelë. Duhet të jemi të përgatitur fizikisht e mentalisht dhe të japim gjithçka nga vetja në secilën ndeshje”, ka thënë Hasani, i cili ka folur edhe për duelin me Craiovan.
Skuadra e Craiovas renditet e nënta në tabelë me 27 pikë të mbledhura. Në anën tjetër, Rapidi në pesë ndeshjet e fundit të stinorit vjeshtor ka tubuar vetëm tri pikë, duke regjistruar tri barazime e dy humbje.
“Kundër Craiovas, sigurisht se do të luajmë për fitore. Do të japim 100 për qind nga vetja. Atmosfera këtu është shumë e mirë dhe pres përkrahjen e madhe të tifozëve”, është shprehur Hasani.
Krahas Hasanit e Krasniqit, skuadra e Rapidit të Bukureshtit ka transferuar edhe Borisav Burmazin e Damjan Gjokoviqin në afatin kalimtar të dimrit, të cilët gjithashtu ishin të pranishëm në këtë konferencë për shtyp.