Prishtinë, 25 tetor – Te kampionia në fuqi, Prishtina, pranojnë se janë të shqetësuar me rezultatet në njëmbëdhjetë xhirot e para të këtij edicioni në Superligën e Kosovës në futboll. Mirëpo, përgjegjësit insistojnë se në fund të edicionit Prishtina do të jetë skuadra që do ta ngrijë trofeun e kampionit.
Drejtori sportiv i Prishtinës, Fisnik Kërçeli të hënën për KOHËN ka thënë se pret që skuadra kryeqytetase ta mbrojë titullin e fituar edicionin e shkuar, me gjithë startin jo të mirë në edicionin 2021/22.
Prishtina në gjashtë ndeshjet e fundit e ka vetëm një fitore. Humbja në xhiron e fundit nga Ballkani (2:0) në Suharekë ishte e katërta për Prishtinën këtë edicion. Ka edhe katër barazime e tri fitore. Aktualisht është e pesta në tabelë me 13 pikë të mbledhura, tetë më pak se Ballkani që është lider.
“Sigurisht që jemi të dëshpëruar me rezultatet që i kemi arritur deri më tani. Mirëpo, kanë kaluar vetëm 11 xhiro dhe kampionati është i gjatë. Atmosfera është e mirë në ekip dhe ne do të vazhdojmë të japim më të mirën të gjithë së bashku”, ka insistuar Kërçeli. “E thashë që kampionati është i gjatë dhe në fund ne do ta ngremë sërish trofeun”.
Skuadra nga kryeqyteti gjatë afatit kalimtar të verës është përforcuar me një numër të madh futbollistësh, përfshirë këtu Krisi Vangjelin e Erando Karabecin nga Shqipëria, pastaj Besart Berishën, Betim Halimin, Xhevdet Shabanin e Mendurim Hotin. Sipas Kërçelit, skuadra e Prishtinës një start të ngjashëm e pati edhe edicionin e shkuar, madje edhe më të dobët sesa këtë edicion pas 11 ndeshjeve të zhvilluara. Ai ka theksuar se Prishtina i kishte pesë humbje në 11 ndeshje të zhvilluara dhe ishte prapa liderit të Superligës me 12 pikë, por në fund arriti që të shpallet kampione. Bazuar në këto statistika dhe ekipin që posedon, Kërçeli beson në suksesin e Prishtinës me gjithë konkurrencën e fortë për titullin e kampionit.
“Në 11 ndeshjet e edicionit të kaluar kemi pasur pesë humbje. Ndërkaq në këtë kampionat kemi katër humbje. Po ashtu, distanca në pikë ka qenë më e madhe vitin e kaluar, kurse tani jemi tetë pikë larg vendit të parë. Nuk po dua të justifikohem, por këto janë të dhëna të sakta”, është shprehur Kërçeli.
Ai ka shtuar se Prishtina në asnjë ndeshje të këtij edicioni nuk ka qenë e kompletuar për shkak të kartonëve të kuq dhe lëndimeve të futbollistëve. Deri më tani shtatë futbollistë të Prishtinës janë ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa të lënduar janë Qëndrim Zyba, Sabien Lilaj e Besart Berisha. Sipas Kërçelit, kryesia e klubit u ka dhënë përkrahje të plotë trajnerit Zekirija Ramadani dhe futbollistëve dhe pret një kundërpërgjigje të fuqishme.
“Pa dashur të shfajësohemi, pasi të gjithë i kemi përgjegjësitë tona, mund të them që në 11 ndeshje kemi marrë shtatë kartonë të kuq, shifër kjo shumë e lartë. Asnjëherë nuk kemi qenë të kompletuar në këtë kampionat. Kemi pasur edhe mungesa të shumta. Lëndimet e Zybës, Lilajt, tani edhe i Berishës, sigurisht që ndikojnë shumë. Justifikime nuk ka, pasi kemi shumë lojtarë në ekip, por gjithsesi kanë ndikuar shumë”, është shprehur Kërçeli. “Kryesia prej fillimit na ka dhënë mbështetje të plotë dhe po vazhdon të na japë. Kemi marrë lojtarët që kemi dashur dhe askush në klub nuk po i ikën përgjegjësisë, por disa rrethana kanë ndikuar në këtë start për çka edhe jemi të shqetësuar”.
Në xhiron e ardhshme Prishtina e pret në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadrën e Drenicës, që ka pasur një start fantastik këtë sezon. Për dallim prej Prishtinës, Drenica ka gjashtë fitore dhe zë vendin e dytë në tabelë me 20 pikë të mbledhura, një më pak se skuadra e Ballkanit. 20 pikë i ka edhe Gjilani që renditet i treti.