Sport

Drejtori sportiv i Prishtinës tregon gjendjen te kampionia

Fisnik Kërçeli pranon se situata te kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Prishtina, nuk është e mirë. Prishtina është në krizë financiare dhe të rezultateve. Ka shumë borxhe ndaj lojtarëve, ndërsa ka mbetur prapa në garën për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Por Kërçeli nuk pranon të kritikohet për përforcimet që Prishtina i ka bërë në edicionin aktual dhe në të kaluarin, ku arriti ta fitojë titullin e kampionit të Kosovës pas tetë vjetësh. Insiston se nëse do ta kthente kohën prapa, sërish do t’i bënte të njëjtat lëvizje. Ai ngul këmbë se Prishtina ka ekipin me lojtarët më të mirë në vend. Kërçeli thotë se ende është drejtor sportiv te klubi i futbollit Prishtina. Ai të mërkurën për KOHËN ka zbuluar shumëçka. Ai tregon se ka qenë kundër largimit të trajnerit Zekirija Ramadani, e po ashtu edhe transferimit të sulmuesit Besart Berisha. Sipas tij, vendimi për largimin e Ramadanit ishte i ngutshëm. Në vend të Ramadanit, te Prishtina në postin e trajnerit ka ardhur boshnjaku Abdullah Ibrakoviq. E Kërçeli ka paralajmëruar edhe largimin e Xhevdet Shabanit, Florent Avdylit dhe disa lojtarëve të tjerëve. Deri tash te Prishtina janë konfirmuar tri largime: Besart Berisha, Kristi Vangjeli dhe Sabien Lilaj. Ky i fundit ka thënë ditë më parë për KOHËN se klubi ia ka borxh katër paga dhe 16 qira të papaguara.

“Kur u bënë ndryshimet te Prishtina, e kam paraqitur edhe unë dorëheqjen time, por nuk ma kanë pranuar dhe tash jam duke vazhduar, por këto ditë kam takime me krerët e klubit për të qartësuar statusin tim. Për momentin jam në Prishtinë si drejtor sportiv. Nuk më ka pëlqyer vendimi për trajnerin Zekirija Ramadani, por klubi vendos. Kur e kanë shkëputur kontratën me Ramadanin e kam kërkuar edhe unë largimin, por një gjë e tillë më është refuzuar. Ka qenë veprim i ngutshëm largimi i Ramadanit, sepse kam menduar që nuk është problemi te ai. I kam dhënë arsyet e mia para dy presidentëve të klubit, por ata kanë vendosur për ta larguar”, ka thënë Kërçeli që me Prishtinën thotë se ka kontratë edhe për një vit e gjysmë. “Unë jam i interesuar të vazhdoj dhe të kem sukses, por duhet parë politikën e klubit”.

Te Prishtina u emërua si drejtor sportiv edicionin e kaluar. Për suksesin e Prishtinës, në opinion u vlerësua se një pjesë të madhe të meritave i ka edhe Kërçeli. Por ai ndryshe po vlerësohet në edicionin aktual.
“Kualitetin të cilin e ka Prishtina e ka më të mirin në Kosovë. Nëse do ta kisha rastin sërish ta formoja ekipin nga zeroja, 95 për qind të lojtarëve do t’i merrja sërish dhe do të isha 100 për qind i bindur se me këta futbollistë do të shpalleshim kampion. Nuk është problemi te futbollistët, pasi ata futbollistë na kanë bërë neve krenarë e po ashtu edhe Kosovën. Nëse Prishtina ka ecur me rezultate edhe në arenën ndërkombëtare, atëherë meritat i ka punëtori sportiv”, ka deklaruar Kërçeli.

Përveç meritave që merr Kërçeli për rezultatet e edicionit të kaluar dhe në garat evropiane, ai thotë se në klubet ku ka punuar kanë dalë në plus në aspektin financiar.

“Prej pranimit të futbollit të Kosovës kudo që kam punuar, çdo klub ku kam punuar, a kam ditur apo kam pasur fat, këtë nuk e di, por di të them që klubi ka dalë në plus, flas për raportin financiar. Në një mënyrë kemi arritur të thyejmë rekord në futbollin e Kosovës, pasi deri tash nuk e ka mbushur askush më shumë se Prishtina xhirollogarinë, mbi 1 milion e 500 mijë euro. Prej momentin që jam në FC Prishtina, klubi është në plus. Edhe Dritën e kam lënë në plus. Kemi fituar titullin, Kupën, kemi thyer rekorde në Evropë, gjë të cilën nuk e ka bërë asnjë klub në Kosovë”, insiston Kërçeli.

Prishtina bëri shumë ndryshime për këtë edicion. Solli në skuadër shumë futbollistë, e pak prej tyre luajtën. Por Kërçeli ngul këmbë se Prishtina ka lojtarët më të mirë në Superligë. Në skuadër solli edhe disa futbollistë që në opinion u vlerësuan “të vjetër për Prishtinën”. Por Kërçeli thekson se disa përforcime janë bërë shkaku i lëndimeve në ekip. Ai thotë se klubi ia ka plotësuar çdo kërkesë.

“Në afatin kalimtar klubi ka qenë shumë korrekt me neve, atë që e kemi kërkuar na është plotësuar. Çdo kërkesë e jona është aprovuar. Qëllimet e tona kanë qenë për të mirë, por edhe problemet financiare ndikojnë. Ka probleme shkaku i pandemisë, por edhe obligimet financiare që i kanë pasur më herët ndaj futbollistëve, flasim për obligimet që i kanë pasur para 2-3 vjetësh”, ka thënë ai. “Disa përforcime është dashur të bëheshin me emergjencë, kemi pasur të lënduar Sabien Lilajn dhe Qëndrim Zybën, të cilët është dashur të zëvendësoheshin. Aty kemi ndërhyrë në prurjen e Erando Karabecit dhe Florent Avdylit. Edhe tregu nuk na ka ofruar shumë zgjidhje. Në qendër të mbrojtjes kemi pasur defektin e Leotrim Bekteshit, që nuk e kemi ditur saktë statusin e tij, pasi është i martuar në Norvegji dhe është dashur të udhëtojë atje dhe nuk e kemi ditur sa do të qëndrojë larg klubit. Pastaj Lumbardh Dellovën se a po vjen dhe kemi intervenuar me Sodiq Atanda ndhe Kristi Vangjelin”.

Ai pranon dështimin e Vangjelit dhe Atandas te Prishtina, që, sipas tij, është pritur më shumë prej tyre. Ndërsa sa i përket transferimit të Besart Berishës, thotë se ishte kundër.

“Besart Berisha është një emër i madh që i ka ardhur futbollit të Kosovës, por unë personalisht kam qenë kundër transferimit të tij. Për mua klubi nuk ka pasur nevojë në ato momente për një sulmues”, ka theksuar ai.

Në fakt, Prishtina edhe në fund të edicionit të kaluar ka pasur probleme me financat. Edicionin e ka përfunduar me katër rroga borxh. Njëjtë po e mbyll edhe këtë vit, ndonëse Kërçeli thotë se në bazë të marrëveshjes me lojtarët e larguar, obligimet ndaj tyre është planifikuar të shlyhen në fund të këtij muaji. Prishtina stinorin vjeshtor e mbylli në vendin e pestë në tabelë me 24 pikë, 11 më pak se lideri Gjilani. Edhe sezonin e kaluar Prishtina ishte nëntë pikë larg vendit të parë, por në fund doli kampione. Kërçeli thotë se Prishtina e ka të vështirë mbrojtjen e titullit, por jo edhe mision të pamundur.

“Jemi në luftë për titull dhe Kupë. Derisa janë ende gjasat matematikisht, Prishtina do të luftojë”, ka thënë Kërçeli.