Kampionia dhe fituesja e Kupës së Kosovës në futsall, Prishtina 01, e nis të mërkurën rrugëtimin në Evropë. Synimi i ekipit të futsallit që debuton në arenën ndërkombëtare është i madh. Te Prishtina 01 synojnë kalimin në “Main Round” apo raundin kryesor të Ligës së Kampionëve në futsall. Por për të kaluar në raundin kryesor të “Championsit”, Prishtinës 01 i duhet të dalë e para në grupin D.
Në raundin parakualifikues të Ligës së Kampionëve do të përballet me ekipin nga Islanda, Isbjorninn. Ndeshja do të luhet të mërkurën prej orës 16:00. Një ditë më pas, Prishtina 01 takohet me Utleiran (Norvegji), ndërsa ndeshjen e fundit e luan kundër KSC Lubaëas (Poloni). Në fazën preliminare të Championsit janë tetë grupe gjithsej. Vetëm fituesit e grupeve kalojnë tutje dhe vazhdojnë garat në raundin kryesor.
Prishtina 01 drejt Polonisë, shtet që është nikoqir i grupit, udhëtoi të hënën. Te skuadra kryeqytetase janë të motivuar për sukses, pas triumfit në kampionat dhe në Kupë të Kosovës. Lojtari Drilon Maxharraj beson në suksesin e ekipit nga kryeqyteti.
“Synojmë ta nisim me fitore dhe ta mbyllim me kualifikim ardhjen në Poloni. Kemi një ekip të mirë dhe një trajner shumë të mirë. Besoj që do ta kalojmë grupin”, ka thënë lojtari i Prishtina 01, Drilon Maxharraj të martën për KOHËN.
Maxharraj është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Në skuadrën e Prishtina 01 ka lojtarë me përvojë të madhe. Disa prej tyre kanë luajtur edhe më parë në ndeshje evropiane. Maxharraj pranon se kundërshtari më i vështirë i Prishtinës 01 në grup do të jetë ekipi nga Polonia.
“Ndeshja më e vështirë do të jetë kundër polakëve, por shpresoj që do të kualifikohemi tutje. Ekipi nga Polonia është kundërshtari që e cilësojmë si kundërshtarin direkt për kualifikim, por kemi besim se do t’ia dalim mbanë”, është shprehur Maxharraj.
Në rast se Prishtina 01 avancon nga raundi preliminar, atëherë do të inkuadrohej në Grupin 7 të “Main Round”, bashkë me Kauno Zalgirisin e Lituanisë, Kampuksen Dynamo të Finlandës dhe fituesin e Grupit G, ku janë Futsal Minerva e Zvicrës, Yerevan Futsal Club e Armenisë, AEL Limassol e Qipros dhe FC Fiorentino e San Marinos. Ndeshjet e fazës “Main Round” luhen nga 24 deri më 29 tetor.