Gati sa nuk u përplasën kokë me kokë. Lojtarët e Liverpoolit, James Milner dhe Virgil van Dijk, shkëmbyen fjalë të furishme në fushë. Ata i drejtonin gishtin njëri-tjetrit, bënin gjeste dhe dukeshin shumë të neveritur.
Liverpooli sapo kishte mbetur në disavantazh për herën e shtatë rresht në Premier League, ndërsa Milner e Van Dijk nuk ndalonin së debatuari për golin e pranuar nga Manchester Unitedi, në stadiumin “Old Trafford”.
Për shumë njerëz ky moment i Milnerit e Van Dijkut mjafton për të vlerësuar se jo gjithçka është në rregull brenda ekipit të trajnerit Juergen Klopp. Këtë e vërtetojnë edhe rezultatet. Edhe pse është herët për të paragjykuar, Liverpooli ka mbetur prapa qysh në start të sezonit në garën për titullin e kampionit. Janë luajtur vetëm tri xhiro deri më tani dhe Liverpooli ka humbur shumë pikë. Prej nëntë pikëve të mundshme, Liverpooli tashmë ka humbur shtatë, pas disfatës nga Manchester Unitedi, 2:1, të hënën mbrëma.
Para këtij dueli, ekipi i Kloppit kishte barazuar me Fulhamin dhe Crystal Palacen. Klubi “i krizës” në Premier League në dy javët e para ishte Unitedi, pasi regjistroi dy humbje. Ndërsa, tani ky epitet i kalon skuadrës së Liverpoolit.
“Ekipi është i bashkuar, por ndonjëherë duhet të thuhen gjërat në fushë. Këto janë momente që ndodhin, sidomos kur ke një seri pa fitore”, shfajësoi Andy Robertson fjalosjen e dy bashkëlojtarëve të tij. “Gjërat do të përmirësohen. Mirëpo, ne jemi shumë prapa pozitës ku duam të jemi. Nuk kemi shumë opsione për momentin dhe kjo po na kushton. Jemi ngushtë si ekip”.
Sipas të gjitha gjasave Liverpooli do të arrijë fitoren e parë të sezonit të shtunën kundër Bournemouthit, një ekip i promovuar që ka pranuar shtatë gola në humbjet nga Manchester City dhe Arsenali.
Humbja ndaj Unitedit ishte e para për Liverpoolin në ligë në vitin 2022. Megjithatë tri ndeshjet e para kanë nxjerrë në pah disa probleme për skuadrën që sezonin e shkuar luftoi për katër trofe.
“Të gjithë jemi të pajtimit se duhet të përmirësojmë paraqitjen. Duhet patjetër të rikthehemi fuqishëm në ndeshjen e radhës dhe ta marrim fitoren e parë këtë edicion”, ka theksuar portieri, Allison Becker.
Liverpooli ka më shumë gjerësi në ekip në sezonet e fundit, por lëndimet e tepërta që prekin skuadrën janë shqetësuese. Klopp pranoi se kishte “14, 15 lojtarë seniorë” për ndeshjen ndaj Unitedit, kurse të lënduar tashmë janë mbrojtësit Ibrahima Konate dhe Joel Matip, mesfushorët Thiago Alcantara, Naby Keita e Curtis Jones si dhe sulmuesi Diogo Jota.
Ndërkohë, Darwin Nunez është i pezulluar me tri ndeshje. Pra, kjo do të thotë se Liverpooli po luante edhe me sulmuesin e pestë, Roberto Firmino, me qendërmbrojtësin e katërt, Joe Gomez, kundër Unitedit.
Klopp e mbushi stolin me dy portierë rezervë.
“Për momentin kemi pesë mesfushorë seniorë dhe duhet të fillojmë me tre. Mund të fillojmë me dy nëse do të kemi më shumë sulmues, por ne kemi vetëm tre sulmues kështu që do të thotë se fillojmë me tre dhe më pas ndryshojmë gjatë lojës”, ka thënë Klopp. “Realisht jam i shqetësuar për situatën tonë”.
Mesfusha mund të jetë zona e shqetësimit, edhe nëse Klopp thotë se opsionet janë të mjaftueshme. Pa Thiagon, Liverpoolit i mungon një lojtar për të drejtuar lojën dhe për të dhënë një top vrasës. Fabinho po përpiqet por nuk po mund ta kryejë punën i vetëm. Jordan Henderson është lider por rrallë ka luajtur 90 minuta këtë edicion. Keita është i lënduar, kurse ende nuk është bërë lojtari dinamik që Liverpooli mendonte se po merrte.
Milner, në moshën 36-vjeçare, ka luajtur dy ndeshjet e fundit dhe ka treguar paraqitje të mira. Dështimi i Liverpoolit për të blerë një mesfushor në këtë afat kalimtar duket së është gabimi më i madh i klubit, me Kloppin ndoshta që ka shumë besim te lojtarët që i kanë shërbyer aq mirë.
Edhe mbrojtja nuk është në nivel. Holandezi Van Dijk nuk ka treguar formë të mirë në dy ndeshjet e fundit. Ai ka pasur tre partnerë të ndryshëm në mbrojtje këtë sezon – Joel Matip, Nat Phillips e Joe Gomez. Ndërkohë, në sulm duket se ekipi ende nuk është adaptuar pa senegalezin Sadio Mane, i cili u transferua te Bayerni.