Skuadra e Liverpoolit po shkon në ndeshjen e 61-të të një sezoni të mundshëm historik dhe intensiteti i orarit po bën që lojtarët ta ndiejnë lodhjen.
“Ata po flenë pothuajse në shtretërit e tyre të masazhit”, zbuloi të hënën trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp.
Problemi është se ndeshjet po bëhen gjithnjë e më të mëdha për ekipin e Kloppit. Dhe, për të qëndruar në garë për katër trofetë e mëdhenj, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për Liverpoolin. Në fakt, janë dy trofe më pak. Liverpooli të shtunën triumfoi në Kupën FA pasi mposhti Chelsean pas penalltive, sukses ky që vjen pas atij në Kupën e Ligës në muajin shkurt. Gjithashtu, skuadra tashmë e ka të rezervuar Ligën e Kampionëve kundër Real Madridit, ndeshje kjo që do të luhet më 28 maj në Paris. Arritja e trofeut të tretë nga katër në total sa po i ndjek Liverpooli para finales së Championsit është pyetja më e vështirë.
Thjesht, sepse titulli i Premier Leagues nuk është në duart e Liverpoolit, me Manchester Cityn katër pikë përpara që futet në javën e fundit të sezonit. Barazimi 2:2 i Cityt në West Ham United të dielën i jep Liverpoolit mundësinë për të shkurtuar diferencën në një pikë duke e mposhtur Southamptonin të martën, përpara se dy rivalët për titull të luajnë ndeshjet e tyre të fundit të dielën. Mirëpo Klopp tregohet realist në këtë aspekt.
“Nuk e di herën e fundit kur City ka humbur pikë në dy ndeshje rresht, historikisht”, pranoi Klopp.
Edhe
Në Angli luhen ndeshjet çerekfinale të Kupës FA
E kjo nuk i ka ndodhur Cityt në kampionat gjatë këtij sezoni. Për herë të fundit ndodhi në dhjetor të vitit 2020, kur barazimet e njëpasnjëshme – kundër Manchester Unitedit dhe West Bromwich Albionit – i paraprinë një serie prej 21 fitoresh rresht në të gjitha garat. Por Klopp nuk ka nevojë vetëm për Aston Villan, e menaxhuar nga i madhi i Liverpoolit, Steve Gerrard, për të bërë një përmbysje të madhe të dielën.
Ai gjithashtu ka nevojë që Liverpooli ta mposhtë Southamptonin dhe më pas Wolverhamptonin, një detyrë që Klopp thotë se nuk do të jetë e lehtë duke pasur parasysh lodhjen në këmbët e lojtarëve të tij. Ndërsa Liverpooli do të luajë mezi tri ditë pas 120 minutash intensive kundër Chelseat, Southamptoni do të ketë dhjetë ditë që nga ndeshja e tij më e fundit dhe është i njohur për stilin e tij të lojës me energji të lartë dhe presion të rëndë nën drejtimin e trajnerit Ralph Hasenhuttl.
Southamptoni barazoi të dy ndeshjet kundër Cityt këtë sezon dhe mundi Liverpoolin në shtëpi sezonin e kaluar.
“Ata do të jenë plotësisht të freskët”, tha Klopp. “Ne nuk mund të shkojmë atje, të biem në lojën e tyre dhe pastaj të përballemi me pasojat. Southamptoni është një ekip vërtet i përgatitur mirë, plot energji dhe që luan ndeshjen e tyre të fundit në shtëpi të këtij sezoni”.
Pastaj janë lëndimet që i kanë pësuar Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk gjatë finales së Kupës FA, që i bën ata në dyshim për duelin me Southamptonin. Gjendja e tyre fizike do të kontrollohet deri para fillimit të ndeshjes, por Fabinho mungon për shkak të një dëmtimi në kofshë. Megjithatë, Liverpooli gjithmonë duket se gjen një mënyrë këtë sezon, në çfarëdo ndeshje dhe çfarëdo gare. Heronjtë e panjohur po shfaqen gjatë gjithë kohës brenda ekipit – të shtunën ishte mbrojtësi i majtë rezervisti Kostas Tsimikas, që shënoi penalltinë vendimtare - kështu që Klopp nuk e sheh asnjë problem që duhet të bëjë rotacion në ekipin e tij për ndeshjen me Southamptonin.
“Ne kemi arritur deri këtu dhe kemi fituar dy trofe, dhe ka një arsye për këtë”, tha Klopp. “Ne kemi një grup lojtarësh që kanë qëndruar në rrugën e duhur dhe të gatshëm për ta ndihmuar ekipin në çdo moment. Atmosfera që grupi ka krijuar është e jashtëzakonshme”.
Ai thjesht dëshiron që Liverpoolit t'i ishin dhënë disa ditë shtesë për t'u rikuperuar përpara se të luante me Southamptonin. Klopp tha se kjo ndeshje ka mundur të luhet të enjten, ditë kjo në të cilën do të zhvillohen tri ndeshje të tjera të Premier Leagues.
Edhe
Real Madridi shpreson ta ndalë hovin e Liverpoolit
“Do të jetë shumë vështirë pasi vijmë pas një ndeshjeje intensive për 120 minuta. Kjo është masive”, tha ai. “Do të shohim. Por mezi pres të luaj ndeshjen. Djemtë që fillojnë lojën do të japin gjithçka nga vetja”.
Megjithatë, tani nuk ka asnjë shans të dytë. Nëse Liverpooli humb, City është kampion dhe ëndrrat për katër trofe brenda këtij edicioni do të marrin fund për skuadrën nga “Anfield Road”.