Një ditë pas përfundimit të edicionit 2020/21 në Superligën e Kosovës në futboll, mbrojtësi i krahut të djathtë, Përparim Islami, konfirmoi largimin e tij nga skuadra e Feronikelit. E nga skuadra e Drenasit pritet të ketë edhe largime të futbollistëve tjerë pas një sezoni zhgënjyes.
Feronikeli vetëm në xhiron e fundit e konfirmoi mbetjen në elitën e futbollit kosovar edhe për sezonin e ardhshëm, pas barazimit 1:1 në udhëtim kundër Llapit. Përfundoi në pozitën e shtatë në tabelë me 42 pikë të tubuara, sa Drenica e Trepça ’89. Por për shkak të bilancit më të dobët në ndeshjet e ndërsjella, ekipi nga Mitrovica do të luajë në barazh.
Për Feronikelin ky është edicioni i dytë që nuk arrin të futet në mesin e katër skuadrave më të mira, pasi sezonin 2019/20 e përfundoi i pesti në tabelë. Feronikeli është një prej skuadrave më të suksesshme në futbollin kosovar pasi ka fituar tre tituj kampioni, sa i kanë edhe Besa e Drita derisa Prishtina ka triumfuar 11 herë në kampionat.
Edhe kryetari i Feronikelit, Naser Ramaj, ka pranuar zhgënjimin e tij për rezultatet e sezonit të fundit. Madje për KOHËN Ramaj ka paralajmëruar rikthim të fuqishëm të Feronikelit në edicionin e ardhshëm.
“Po, gjithsesi presim shumë më tepër edicionin e ardhshëm sesa në sezonin e sapopërfunduar. Dihet që aspak nuk jam i kënaqur. Kur e them këtë bazohem në ekipin që e kemi pasur. E me ekipin që e kishim nuk është dashur të përfundonim aty ku përfunduam”, është shprehur Ramaj. “Për momentin jam jashtë vendit, por ditët në vazhdim do të kthehem në Kosovë dhe do ta mbaj një takim me pjesën tjetër të bordit të klubit, ku do të diskutojmë për ndryshimet që do t’i bëjmë sezonin tjetër”.
Feronikeli e nisi sezonin me trajnerin Afrim Tovërlani, e vazhdoi me Klodian Duron derisa e mbylli me Faruk Elshanin.
Edhe kapiteni i Feronikelit, qendërmbrojtësi Lapidar Lladrovci, ka shprehur zhgënjimin e tij me sezonin e fundit. Në fakt Lladrovci ka thënë se synimet e Feronikelit ishin shumë të mëdha dhe edicionin e nisi për të fituar trofe. Ai shpreson që kryesia e klubit të reagojë për sezonin e ardhshëm, por që nuk ka garantuar qëndrimin e tij te Nikli.
“Sigurisht që me kontingjentin e lojtarëve që klubi ka pasur në dispozicion këtë sezon ka hyrë me objektiv të qartë, të fitojë trofe ose të paktën të sigurojë plasman që dërgon në kupat e Evropës. Por, në sport nuk është e garantuar që gjërat do të ecin si parashikohet pasi që janë shumë faktorë që përcaktojnë ecurinë e një skuadre e që duhet të jenë në harmoni dhe drejtimin e duhur. Skuadra këtë vit pati shumë ulje e ngritje, ku në fund edhe e rrezikuam seriozisht mbetjen në elitë, por që në fund ia dolëm dhe siguruam edhe për një vit qëndrimin në Superligë”, është shprehur Lladrovci. “Shpresoj që Feronikeli të rikthehet aty ku e ka vendin, mirëpo duhet të ketë një menaxhim të studiuar mirë që të mos përsëriten gabimet e viteve të kaluara, gjithçka varet nga organizimi i kryesisë”.
Ndërkohë Islami ka thënë se një prej arsyeve që ka vendosur të largohet nga Feronikeli pas tre vjetësh është se klubi në sezonin e fundit nuk ka funksionuar sikurse në të shkuarën.
“Pas tre vjetëve të mrekullueshëm vendosa të largohesha nga Feronikeli dhe për kohën e kaluar në klub e falënderoj presidentin e klubit, Naser Ramaj. Vendosa të ndërroja ambient për arsye të shumta. Kohët e fundit klubi nuk ka funksionuar si në të shkuarën, por ka edhe shumë arsye tjera që jam larguar. Nuk ishte atmosfera adekuate që të vazhdoj në Drenas dhe së shpejti pritet ekipi im i ri”, është shprehur Islami.
Krahas tre titujve të kampionit Feronikeli ka triumfuar tri herë edhe në Kupën e Kosovës, si dhe dy herë e ka fituar edhe trofeun e Superkupës. Gjithashtu në sezonin 2019/20 u paraqit në garat evropiane.