Erlind Krasniqi është larguar nga posti i kryetarit të Feronikelit 74.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
“Mirupafshim klubi i zemrës ‘Nikli’”, e ka nisur shkrimin e gjatë Krasniqi.
Tërheqja e tij ka ardhur pas rezultateve të dobëta të klubit nga Drenasi në edicionin aktual.
Feronikeli 74 është në pozitën e fundit me vetëm tre pikë të mbledhura. Ka pësuar plot dhjetë humbje në 13 ndeshje. Disfatën e fundit e pësoi të shtunën në xhiron e 13-të të Superligës 2:1 nga Dukagjini në Klinë.
“Ky sezon ka sjellë sfida të mëdha dhe dështime që i kemi përjetuar për herë të parë, megjithëse kemi pasur një situatë të përmirësuar nga donatorët. Për shkak të klimës së vështirë në klub dhe dështimeve që hasëm, pavarësisht ndihmës së faktorëve të jashtëm, është koha për mua të tërhiqem nga pozicioni i udhëheqjes së Feronikelit 74”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi në njoftimin e gjatë.
Feronikeli 74 ka pasur telashe të mëdha në fillim të këtij sezoni.
Javën e kaluar njoftuan për tërheqjen nga garat e organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës, me pretendimin se janë dëmtuar nga gjyqtarët. Më pas, morën vendim që t’i vazhdojnë garat.
Te Feronikeli 74 thonë se u takojnë trofetë e fituara nga Feronikeli, ndonëse është klub i ri.