Sport

Tchouameni thotë se e zgjodhi Realin edhe pse Mbappe e ftoi te PSG-ja

Aurelien Tchouameni tha se asgjë nuk e largoi atë nga përmbushja e ëndrrës së tij për të luajtur për Real Madridin. Madje, as biseda me Kylian Mbappen. Mesfushori premtues i Francës zyrtarizoi kalimin e tij te Real Madridi të martën, duke thënë se nuk kishte dyshime se ku donte të luante pavarësisht se kishte oferta nga klubet e tjera dhe diskutonte një transferim të mundshëm në Paris Saint-Germain me Mbappen, i cili vendosi të qëndrojë te klubi francez përkundër që shfaqi interesim për të luajtur për ekipin spanjoll.

“Kyliani qëndroi te PSG-ja dhe ai e dinte që unë po largohesha nga Monaco, kështu që ai donte të dinte nëse mund të shkoja te Parisi”, tha Tchouaméni, ndërsa u prezantua zyrtarisht nga Reali. “Por unë i thashë se opsioni im i parë ishte gjithmonë Real Madridi dhe ai e kuptoi këtë në mënyrë perfekte”.

22-vjeçari Tchouameni nënshkroi kontratë gjashtëvjeçare me Real Madridin. Ai iu bashkua nga Monaco me një tarifë të raportuar deri në 100 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuset. Tchouameni nuk i zbuloi klubet e tjera që i kishin bërë oferta, pasi insistoi se ai ishte vetëm duke pritur për thirrjen e Real Madridit.

“Në momentin që Madridi më telefonoi, i thashë agjentit tim dhe klubit që të gjenin marrëveshjen më të mirë për të gjithë”, tha ai. “Nuk dyshova për asnjë sekondë. Ishte ëndrra ime. Dua të lë gjurmë në futboll dhe Real Madridi është klubi më i mirë ku mund ta bëj këtë”.

Mbappe, bashkëlojtari i Tchouameni te Përfaqësuesja e Francës, mërziti Realin dhe tifozët e tij pasi u tërhoq nga një transferim si lojtar i lirë në klubin spanjoll këtë verë. PSG-ja kishte refuzuar tashmë një ofertë të majme nga Madridi vitin e kaluar për Mbappen. Tchouameni bëri deklaratat e tij të para duke folur mirë në gjuhën spanjolle, duke thënë se ishte i lumtur që po i bashkohej “klubit më të mirë në botë” dhe që kishte një shans për ta ndihmuar atë të fitonte edhe më shumë tituj. Ai tha se është frymëzuar nga të mëdhenjtë e basketbollit amerikan, Koby Bryant dhe Michael Jordan, sepse “ata gjithmonë kanë dhënë maksimumin e tyre për të luajtur në një nivel të lartë” dhe tha se do të kontribuojë me vizion të mirë në terren, pasime, forcë fizike dhe aftësi për të rifituar posedimin e topit.

Tchouameni është shtesa më e fundit franceze për të rifreskuar mesfushën e plakur të Real Madridit të drejtuar aktualisht nga 36-vjeçari Luka Modriq, 32-vjeçari Toni Kroos dhe 30-vjeçari Casemiro. Madridi vitin e kaluar solli francezin 19-vjeçar, Eduardo Camavingan nga Rennesi, i cili bëri përshtypje duke luajtur si rezervist gjatë gjithë sezonit të fundit. Klubi kohët e fundit i dha Modriqit një zgjatje të kontratës njëvjeçare deri në qershor të vitit 2023. Kontrata e Kroosit gjithashtu është valide deri në fund të sezonit të ardhshëm, ndërsa marrëveshja e Casemiros është e vlefshme deri në vitin 2025. Treshja ndihmoi Real Madridin të fitonte pesë trofe të Ligës së Kampionëve në nëntë sezonet e fundit, përfshirë këtë vit kundër Liverpoolit.

“Madridi dhe tifozët e tij duan gjithmonë më shumë dhe fokusi ynë tani është tashmë në fitimin e titullit të 15-të evropian”, tha presidenti i klubit madrilen, Florentino Perez. “Ne kemi një skuadër të shkëlqyer, por e dimë se kemi një sfidë të madhe përpara dhe duhet të shtojmë lojtarë që janë të talentuar dhe të etur për të fituar, kështu që me Tchouamenin e sollëm një lojtar të mrekullueshëm që do të na ndihmojë të vazhdojmë të përmirësohemi”.

Perez falënderoi Tchouamenin që “zgjodhi Real Madridin në vend të klubeve të tjera”.

Një tjetër mesfushor i ri në skuadër është 23-vjeçari Federico Valverde, reprezentuesi i Uruguait, i cili është me ekipin e parë që nga viti 2018. Tchouameni ka luajtur me Monacon që nga janari i vitit 2020, pasi u bashkua nga Bordeaux. Francezët e tjerë në skuadrën e Real Madridit janë mbrojtësi i krahut të majtë, Ferland Mendy dhe sulmuesi Karim Benzema, lojtari më i mirë i skuadrës këtë sezon, pasi klubi fitoi gjithashtu edhe titullin e kampionit në La Liga dhe Superkupën e Spanjës. Tchouameni te Real Madridi do të mbajë fanellën me numrin 18, i cili ishte numri i Gareth Bale, që do të largohet në fund të këtij muaji si lojtar i lirë. Lojtarët e tjerë që largohen nga skuadra në fund të këtij muaji janë edhe mesfushori Francisco Isco dhe mbrojtësi veteran, Marcelo, i cili luajti 16 sezone dhe është lojtari më i trofeshëm në klub që ka fituar 25 trofe.