Sulmuesi Kylian Mbappe mund të konsiderohet futbollist i Real Madridit prej edicionit të ardhshëm. “FootMercato” ka raportuar të hënën se Mbappe tashmë ka arritur marrëveshje me Realin, e cila do të zyrtarizohet së shpejti. Ai te Reali do të transferohet si lojtar i lirë, pasi në fund të këtij edicioni i skadon kontrata me Paris Saint-Germainin.
Thuhet se Mbappe ka pranuar edhe pagë më të ulët për të qenë pjesë e klubit spanjoll, me të cilin do të firmosë kontratë pesëvjeçare.
Mbappe te Reali fillimisht do të ketë pagë vjetore prej 10 milionë eurosh, e cila do të rritet pas përfundimit të çdo edicioni, si dhe do të ketë bonuse të majme. 25-vjeçari është pjesë e Parisit prej vitit 2017, kur iu bashkua nga Monaco, ndërsa edhe me këtë edicion ka vazhduar me formën fantastike. Ai ka shënuar 25 gola në 24 ndeshje të luajtura deri më tani në të gjitha garat.