Tandemi i sulmit, i njohur edhe me shkurtesën “LuLa”, është kthyer për Interin në kohën e duhur.
Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez shënuan për Interin në fitoren 3:1 ndaj Udineses në Serie A, katër ditë përpara se skuadra italiane të përballet me Porton, të mërkurën, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.
Kjo ishte hera e parë që dy sulmuesit kishin shënuar në të njëjtën ndeshje që nga ndeshja e fundit e edicionit 2020/21, gjithashtu kundër Udineses. Ata gola atë edicion e udhëhoqën Interin drejt titullit të kampionit dhe i dhanë partneritetit pseudonimin “LuLa”, nga shkronjat e para të mbiemrit të Lukakut dhe emrit të Lautaros.
Martinez shënoi 17 gola në ligë në atë kampanjë fituese, ndërsa Lukaku shënoi 24. Dhe dyshja shpesh asistoi në golat e njëri-tjetrit. Seria e golave të Lukakut i mundësoi atij një transferim te Chelsea, për t'u kthyer tek Interi në formë huazimi vitin pasues. Por sulmuesi belg është dukur një hije këtë edicion, pasi luftoi me formën e dobët dhe lëndimet.
Goli kundër Udineses të shtunën ishte i pari në ligë që nga muaji gusht. Goli i tij i vetëm këtë sezon në Ligën e Kampionëve u realizua në tetor, kundër Viktoria Plzenit.
“Romelu po përmirësohet çdo ditë, stërvitje pas stërvitjeje, lojë pas loje”, insistoi trajneri i Interit, Simone Inzaghi. “Ne kemi besim të vërtetë tek ai. Ai po jep gjithçka që mundet dhe gjendja e tij tashmë është e mirë. Por ai ende mund të bëjë hapa përpara. Ai kishte një dëmtim që i shkaktoi probleme për katër muaj, kështu që do të përmirësohet sa më shumë që të luajë”.
Nuk ka pasur shqetësime të tilla për Martinezin, i cili ndihmoi Argjentinën të fitonte Kupën e Botës në dhjetor. Ai ka shënuar tetë gola në 11 ndeshje në të gjitha garat që nga janari. Martinez është i dyti në listën e golashënuesve të Serie A, me 13 gola.
“Ai gjithmonë jep gjithçka dhe është një nga liderët tanë”, tha Inzaghi. “Ai duhet të vazhdojë të punojë siç po bën sepse ka qenë i shkëlqyer që nga kthimi nga Kupa e Botës”.
Lukaku dhe Martinez do të duhet të jenë të mirë për të kapërcyer një mbrojtje të fortë të Portos që ka pranuar vetëm dy gola në 11 ndeshje këtë vit. Interi dhe Inzaghi ngecën në të njëjtën fazë sezonin e kaluar, ku u eliminuan nga Liverpooli. Porto nuk arriti të kalonte fazën e grupeve sezonin e kaluar, por arriti në çerekfinale një vit më herët, duke humbur nga Chelsea. Skuadra kishte kaluar Juventusin në 1/8 së finales dy edicione më parë.
“Ne po përballemi me një ekip cilësor që e respektojmë shumë sepse pothuajse gjithmonë arrin në fazën e nokatutit dhe ndonjëherë shkon më tej”, tha Inzaghi, i cili ishte bashkëlojtar me trajnerin e Portos, Sergio Conceiçao në Lazio.