Interi dhe Fiorentina futen në finalen e Kupës së Italisë me sytë e kthyer kah trofetë më të mëdhenj që mund t’i rrëmbejnë këtë edicion. Fiorentina është “vendase” përballë Interit, në ndeshjen që luhet të mërkurën mbrëma në stadiumin “Olimpico” në Romë prej orës 21:00.
Interi luan kundër Manchester Cityt në finalen e Ligës së Kampionëve më 10 qershor, tri ditë pasi Fiorentina përballet me një ekip tjetër nga Anglia, West Ham Unitedin, në finalen e Ligës së Konferencës. Megjithatë, si Interi ashtu edhe Fiorentina, tani për tani fokusin e kanë të dueli që luhet në kryeqytetin e Italisë, përpara se të mendojnë për finalet evropiane.
Interi po synon ta mbrojë trofeun e fituar edicionin e shkuar, për të mbajtur gjallë shpresat që këtë edicion ta mbyllë me “tripletë” nën urdhrat e trajnerit Simone Inzaghi, i cili po njihet si specialist i fitimit të kupave. Inzaghi i ka fituar gjashtë prej shtatë finaleve të fundit si trajner. E ka udhëhequr Lazion drejt triumfit në Kupën e Italisë në vitin 2019, si dhe ka fituar dy trofe të Superkupës italiane. Ai gjithashtu ka fituar dy Superkupa të Italisë me Interin – përfshirë këtë edicion kur e mposhti Milanin – sikurse edhe Kupën e Italisë vitin e shkuar.
Përkundër suksesit në kupë, trajneri 47-vjeçar vazhdimisht ka qenë nën presion këtë edicion dhe është përballur me pyetjet për të ardhmen e tij, pasi Interi nuk ka treguar paraqitje të mira në kampionat. Drejtori i përgjithshëm i klubit, Giuseppe Marotta, u ka dhënë fund të gjitha dilemave duke thënë se Inzaghi do të jetë “100 për qind” në krye të Interit edhe edicionin tjetër.
“Është mirë që klubi ka besim tek unë. Katër ndeshje kanë mbetur, dy prej të cilave janë finale”, ka thënë Inzaghi të martën. “Ne jemi në rrugën e rritjes. Finalja jonë e pestë në dy vjet po afrohet dhe këto finale janë shumë të dobishme për ta ndihmuar ekipin të rritet edhe më shumë. Megjithatë, fillimisht synojmë ta mbrojmë trofeun e fituar edicionin e shkuar në Kupën e Italisë dhe pastaj të fokusohemi në Champions”
Inter humbi 3:1 nga kampioni i Serie A, Napoli, të dielën, për t'i dhënë fund një serie prej tetë fitoresh radhazi në të gjitha garat. Megjithatë mund të sigurojë një përfundim në top-katërshe dhe një vend në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm me një fitore kundër Atalantas në fundjavë. Ecuria fituese e Interit u ndihmua nga kthimi në formë i Romelu Lukakut. Pas një edicioni të mbushur me lëndime, Lukaku është kthyer në formën më të mirë dhe ka shënuar katër gola në tri ndeshjet e fundit në ligë.
“Lukaku po ndihet shumë mirë dhe kjo vlen edhe për të gjithë bashkëlojtarët e tij”, tha Inzaghi. “Në dy muajt e fundit ai është kthyer në Romelun që ne të gjithë e njohim”.
Partneri i Lukakut në sulm, Lautaro Martinez, është lojtari i vetëm që është paraqitur në të gjitha 53 ndeshjet e Interit këtë edicion. Argjentinasi ka shënuar 25 gola duke barazuar rekordin personal që e vendosi edicionin e kaluar.
Fiorentina do të jetë veçanërisht e kujdesshme ndaj Lautaros pasi ai shënoi dy herë kundër saj në tetor, në fitoren 4:3 të Interit. Fiorentina fitoi 1:0 në Milano në fillim të muajit të kaluar. Derisa Interi është mësuar me paraqitje nëpër finale vitet e fundit, Fiorentinës i është dashur të presë gati një dekadë. Dhe tani dy kanë ardhur menjëherë.
Skuadra toskane ka luajtur për herë të fundit në finale, kur humbi nga Napoli në Kupën e Italisë në vitin 2014.
“Ne jemi të lodhur. Lodhja mendore është gjithashtu pjesë e lodhjes, nuk është e vështirë vetëm për këmbët, por për gjithçka tjetër. Ne kemi tentuar t’i pushojmë lojtarët që të rikuperohen dhe të jenë gati për duelin me Interin, që është ndeshja e jetës sonë”, ka thënë trajneri Vincenzo Italiano. “Jemi të gatshëm për këtë finale, përpara se të mendojmë për atë të Ligës së Konferencës”.
Trofeu i fundit nga gjashtë sa i ka Fiorentina në Kupën e Italisë erdhi në vitin 2001. Ndërkohë që nga viti 2001, Interi ka triumfuar pesë herë në këtë garë dhe ka në total tetë trofe të Kupës së Italisë.