Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dyshja sulmuese e Interit në formë për derbin evropian ndaj Milanit

Sulmi i Interit me nofkën “LuLa” duket përsëri në formën e tij më të mirë, përpara ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër rivalit të qytetit, Milanit.

Partneriteti i Romelu Lukakut dhe Lautaro Martinezit fitoi pseudonimin “LuLa” gjatë periudhës së parë të belgut në klub, kur golat e tyre çuan Interin drejt titullit të kampionit në Serie A në vitin 2021. Martinez ka vazhduar ta udhëheqë sulmin e Interit që atëherë, Lukaku ka luftuar me lëndime dhe formë të dobët pasi u kthye tek ekipi italian si huazim nga Chelsea para fillimit të këtij edicioni. Megjithatë, Lukaku së fundi ka shënuar tre gola në po aq ndeshje në kampionat, duke dyfishuar numrin e golave në Serie A. Ai gjithashtu ka kontribuuar me tri asistime në ato ndeshje, ndërsa në total ka pesë sosh për Interin. Martinez ka shënuar pesë herë në katër ndeshjet e tij të fundit për të çuar numrin në 19 gola në ligë. Mbrojtësit e Interit gjithashtu kanë ndihmuar me gola. Goli i parë i shënuar nga Federico Dimarco në fitoren 2:0 ndaj Romës të shtunën në kampionat, u asistua nga mbrojtësi tjetër, Denzel Dumfries.

Interi tani duket se po sulmon dhe po mbrohet si ekip dhe kjo është shenjë e mirë në prag të gjysmëfinaleve të Championsit, me ndeshjen e parë kundër Milanit të mërkurën mbrëma (21:00).

“Mendoj se jemi përmirësuar shumë në këtë aspekt”, tha Lukaku. “Ne po shënojmë shumë dhe nuk po pësojmë. Mendoj se shumë lojtarë mund të bëjnë diferencën dhe kjo është e rëndësishme”.

Interi ka fituar pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke shënuar 15 gola dhe duke pranuar vetëm një. Përpara asaj ecurie, Interi kishte fituar vetëm një nga nëntë ndeshjet në të gjitha garat.

“Ajo që ka ndryshuar është se tani kam mundësinë të ndërroj lojtarë të rëndësishëm, veçanërisht në repartin e sulmit”, ka pranuar trajneri i Interit, Simone Inzaghi. “Nuk e kisha këtë për një kohë të gjatë dhe situata ka ndryshuar shumë. Unë nuk e kam pasur Marcelo Brozoviqin nga 1 tetori deri në fund të janarit dhe ishin katër muaj shumë të gjatë. E njëjta gjë me Lukakun. Të dy janë kthyer për të bërë atë që bëjnë më së miri dhe shpresoj që kjo të vazhdojë deri në fund të edicionit”.

Interi është gjithashtu në garë për të fituar tri trofe këtë edicion, pasi luan kundër Fiorentinës në finalen e Kupës së Italisë më 24 maj. Interi e mundi Milanin për të ngritur trofeun e Superkupës së Italisë në janar.

Derisa Inzaghi ka skuadër plotësisht të përshtatshme për të zgjedhur, trajnerit të Milanit, Stefano Pioli, mund t'i mungojë një lojtar tejet i rëndësishëm. Portugezi Rafael Leao u detyrua ta lëshojë fushën në minutën e 11-të në ndeshjen e fundit kampionale, të cilën Milani e fitoi 2:0. Ai pati telashe me muskulin e kofshës dhe mbetet të shihet nëse do të jetë në gjendje të luajë kundër Interit. Leao u kthye në stërvitje të martën, por punoi veçmas nga shokët e skuadrës. Pioli do të duhet të vendosë të mërkurën nëse do ta rrezikojë atë për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Championsit, do ta lërë në stol apo nuk do ta përfshijë fare në listën e lojtarëve të ftuar.

Artikuj të ngjashëm