Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tek Interi ëndërroi përsëri pas ringjalljes në fund të edicionit

Një muaj më parë puna e trajnerit të Interit, Simone Inzaghi, dukej se ishte e varur nga një fije, për shkak të një serie negative dhe formës së dobët të ekipit. Por italiani ka nxitur një ringjallje që e ka kthyer klubin në top-katërshe të Serie A, ndërkohë që ia ka siguruar edhe dy finale të mëdha. Edicioni i Interit thuajse u shpërbë pas një ecurie prej gjashtë ndeshjesh pa fitore, e cila përfshinte tri humbje rresht në kampionat, duke e larguar edhe nga katër pozitat e para për disa javë. Një barazim 3:3 në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Benficas i lejoi Interit të avanconte në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 5:3 dhe kjo i dha Inzaghit pak hapësirë për të marrë frymë. Dhe një mundësi për t'i rregulluar gjërat.

Inzaghi ishte përpjekur të zbatonte taktika të ndryshme këtë edicion me një lojë që bazohej në presion të lartë, një kontrast i madh me edicionin kur Interi fitoi titullin, dy vjet më parë, duke u bazuar në kundërsulmet e shpejta. Kur kjo nuk funksionoi, pasi Interi pranonte lehtë gola, Inzaghi iu kthye lojës me kundërsulme, e cila e ndihmoi ekipin t’i fitonte ndeshjet përsëri.

Rezultati ishte dukshëm më pozitiv. Këtë e dëshmoi një seri prej tetë fitoresh në të gjitha garat muajin e kaluar, gjatë së cilës Interi kaloi në një grup testesh të vështira, por me bilanc perfekt. Ka mposhtur dy herë Juventusin, Lazion, Romën dhe rivalët e vjetër, Milanin. Juventusin e eliminoi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ndërsa Milani nuk arriti as të shënonte kundër Interit në katër përballje këtë vit, duke u eliminuar nga Liga e Kampionëve në gjysmëfinale. Skuadra e Inzaghit avancoi tutje me rezultatin e përgjithshëm 3:0. Hera e fundit që Milani humbi katër herë nga Interi në një edicion ishte në atë 1973/74.

“Ne jemi përballur me Milanin shumë herë. Në muajt e fundit kemi luajtur katër derbi dhe i kemi fituar që të gjithë. Interi luajti mirë kohët e fundit dhe tani lojtarët kanë të drejtën e plotë t’i shijojnë dy finalet që na presin, atë në Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve”, theksoi Inzaghi. “Ishte një ëndërr në fillim, por ne gjithmonë kemi besuar. Ecuria e jashtëzakonshme na ka sjellë në një situatë ku mund të mendojmë për t’i fituar tre trofe, pasi tashmë jemi fitues të Superkupës së Italisë. Askush nuk na ka dhënë asgjë, ne kemi realizuar një ëndërr me shumë mund dhe sakrificë”.

Interi dukej larg nga të qenit pretendent këtë edicion, me disa lojtarë mbi moshën 30-vjeçare dhe disa të tjerë që kontratat u skadojnë në fund të edicionit. Futbollistët si sulmuesi 37-vjeçar Edin Xheko, Francesco Acerbi, Stefan de Vrij dhe Romelu Lukaku janë të vendosur të largohen këtë verë. Por Inzaghi ka arritur t'i bëjë që të gjithë të bashkohen drejt misionit të njëjtë, në kërkim të lavdisë.

Edhe Si e ktheu Interi “dëshpërimin e trefishtë” në sukses Futboll 2 muaj më parë Si e ktheu Interi “dëshpërimin e trefishtë” në sukses

“Ky vit ka qenë shumë i komplikuar, ishim të paqëndrueshëm në ligë. Por mendoj se patëm një kthesë të vogël në muajin e fundit”, tha Lukaku. “Trajneri ka një sistem rotacioni dhe të gjithë po bëjnë punën e tyre. Ne kemi një qëllim të përbashkët. E dinim që nuk mund të sfidonim titullin në Serie A, por e dinim se kishim një mundësi në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Italisë. Jemi në të dyja finalet dhe duam të mbyllim edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Interi mund të jetë favorit për Kupën e Italisë kundër Fiorentinës, por Inzaghi nuk ka asnjë shqetësim të pranojë se skuadra e tij do të jetë autsajdere në finalen e Ligës së Kampionëve. Tek Interi kërkojnë t'i japin fund pritjes 13-vjeçare për trofeun që e kanë fituar tri herë.