Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Takimi urgjent i UEFA-s, refuzimi i përfaqësueseve të luajnë në Rusi dhe brazilianët e ngujuar në Ukrainë

UEFA do të mbajë një takim emergjent të premten, në të cilin pritet të marrë vendim për zhvendosjen e finales së Ligës së Kampionëve. Kjo çështje është kryesorja në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e cila ka dënuar ashpër Rusinë për sulmet që i nisi të enjten ndaj Ukrainës.

“UEFA ndan shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar për situatën e sigurisë në Evropë dhe dënon fuqishëm pushtimin e vazhdueshëm ushtarak rus në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e UEFA-s të lëshuar të enjten. “Ne mbetemi të vendosur në solidaritetin tonë me komunitetin e futbollit në Ukrainë dhe jemi të gatshëm t'i shtrijmë dorën popullit ukrainas”.

Takimi urgjent i UEFA-s do të mbahet të premten paradite kur edhe pritet të dalë vendimi përfundimtar për finalen e Ligës së Kampionëve. Kjo ndeshje ishte caktuar të zhvillohej më 28 maj në stadiumin “Gazprom Arena” të Shën Petersburgut, në të cilin janë zhvilluar disa ndeshje të Kampionatit Evropian të vitit të shkuar dhe të Botërorit të vitit 2018 që u mbajt në Rusi. Në fakt, burime të afërta me UEFA-n kanë thënë se tashmë vendimi është marrë për zhvendosjen e finales së Championsit nga Shën Petersburgu dhe tashmë po kërkohen lokacione të tjera më të përshtatshme për këtë ndeshje të rëndësishme.

“Këtë situatë po e trajtojmë me seriozitetin më të madh dhe me urgjencë. Vendimet do të merren në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të premten kur edhe do të bëhen publike”, ka shtuar UEFA.

Po ashtu, UEFA do ta shkëpusë kontratën me kompaninë gjigante të energjisë nga Rusia “Gazprom”, e cila është sponsore e Shtëpisë Evropiane të Futbollit. Kjo kompani është në pronësi të Qeverisë ruse.

Edhe UEFA vepron për kthimin e pjesshëm të ekipeve ruse dhe zyrtarëve rusë në futbollin evropian Sport UEFA vepron për kthimin e pjesshëm të ekipeve ruse dhe zyrtarëve rusë në futbollin evropian

Të enjten klubi nga Gjermania, Schalke, njoftoi se tashmë do ta largojë logon e kompanisë “Gazprom” nga fanellat për shkak të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Schalke është një prej dy ekipeve ku kjo kompani është sponsor gjeneral. Edhe Zeniti e ka sponsor “Gazpromin”.

“Pas zhvillimeve të fundit, FC Schalke 04 ka vendosur ta largojë logon e sponsorit kryesor ‘Gazprom’ nga fanella e klubit. Do të zëvendësohet me emrin e klubit tonë ‘Schalke 04’ tash e tutje”, bëri të ditur Schalke.

Thirrjet për përjashtimin e Rusisë nga plejofi i Botërorit

Federata e Futbollit e Ukrainës tashmë ka kontaktuar UEFA-n dhe FIFA-n, duke kërkuar që ta përjashtojnë Përfaqësuesen e Rusisë nga ndeshjet e plejofit të Botërorit “Katari 2022” si dhe klubet ruse nga garat evropiane. Gjithashtu ka kërkuar zhvendosjen e Superkupës së Evropës që do të mbahet në vitin 2023 në qytetin e Rusisë, Kazan.

Kampionati i Ukrainës, që ishte paraparë të nisë këtë fundjavë, tashmë është shtyrë për shkak të luftës. Për ta fuqizuar edhe më shumë kërkesën e Federatës ukrainase, kanë ardhur edhe reagimet nga Polonia, Suedia e Çekia. Federatat e këtyre shteteve kanë kërcënuar se do t’i bojkotojnë ndeshjet e plejofit nëse FIFA nuk i zhvendos ato nga Moska, vendi ku është caktuar të zhvillohen.

Më 24 mars, Polonia duhet të luajë në gjysmëfinale me Rusinë dhe fituesi i kësaj ndeshjeje e pret në shtëpi fituesin e duelit tjetër mes Suedisë dhe Çekisë. Federata e Polonisë, e Suedisë dhe e Çekisë tashmë kanë dërguar kërkesat e tyre në FIFA dhe presin reagim të menjëhershëm nga Shtëpia Botërore e Futbollit.

“Nënshkruesit e kësaj kërkese nuk e konsiderojnë udhëtimin në Rusi dhe luajtjen e ndeshjeve të futbollit atje. Përshkallëzimi ushtarak që po vëzhgojmë, sjell pasoja të rënda dhe siguri më të ulët për ekipet tona të futbollit dhe delegacionet zyrtare. Prandaj, ne presim që FIFA dhe UEFA të reagojnë menjëherë dhe të paraqesin zgjidhje alternative në lidhje me vendet ku mund të luhen këto ndeshje që po afrohen”, thuhet në kërkesën e përbashkët.

Edhe Top katër klubet e Rusisë sfidojnë suspendimin e UEFA-s Sport Top katër klubet e Rusisë sfidojnë suspendimin e UEFA-s

Këtë e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës suedeze, Karl-Erik Nilsson, që ka thënë se nuk ka gjasa që Suedia të luajë në Rusi.

“Ne nuk kemi dëshirë të luajmë futboll në Rusi dhe kjo as që vjen në shprehje”, tha ai.

Krahas futbollit, edhe bota e motosporteve është solidarizuar me Ukrainën. Pilotët e Formula 1 kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë garën e edicionit 2022 të paraparë të mbahet në Sochi më 25 shtator të këtij viti.

Apeli për ndihmë i brazilianëve në Ukrainë

Ndërkohë futbollistët brazilianë nga dy skuadrat më të mëdha të Ukrainës, kanë bërë apel për ndihmë pasi kanë mbetur të ngujuar në një hotel pas sulmeve të Ushtrisë ruse. Ata i kanë kërkuar Qeverisë braziliane që t’u dalë në ndihmë pasi frikësohen për familjet e tyre.

Një grup lojtarësh të Shakhtar Donetskut dhe Dynamo Kyivt postuan një video së bashku me familjet e tyre nga një hotel, ku kërkuan mbështetje. Atyre u është bashkuar edhe uruguaiani Carlos de Pena. Futbollistët thanë se kufijtë ishin të mbyllur dhe furnizimet me karburant kishin mbaruar.

“Ne jemi vërtet të dëshpëruar. Po kalojmë kaos”, ka shkruar në Instagram mbrojtësi i Shakhtarit, Marlon Santos. “Ne kemi mbështetjen e klubit tonë. Por dëshpërimi është i dhimbshëm. Ne presim mbështetjen e vendit tonë. Ne flasim në emër të të gjithë brazilianëve në Ukrainë”.

Edhe Organizatat sportive me hapa të tjerë për izolimin dhe dënimin e Rusisë Sport Organizatat sportive me hapa të tjerë për izolimin dhe dënimin e Rusisë

Mesazhe të ngjashme u postuan edhe nga lojtarët brazilianë që jetojnë gjetkë në Ukrainë, përfshirë sulmuesin Marlyson dhe dy shokë të skuadrës, Metalist 1925, në qytetin verilindor të Kharkivit, pranë kufirit rus, si dhe tre lojtarë nga Zorya Luhansk, një klub me seli në qytetin jugor të Zaporozhias.

Shakhtari ka në radhët e veta hiç më pak se 11 lojtarë nga Brazili, ndërsa prej vitit 2014 nuk mund t’i luajë ndeshjet në shtëpi për shkak se separatistët rusë pushtuan qytetin. Në situatë të ngjashme, sikur Shakhtari, është edhe Zorya.