Derisa forcat ruse u vendosën më thellë në Ukrainë të premten, organizatat sportive lëvizën me shpejtësi për t’ia hequr Rusisë organizimin e ngjarjeve. Shën Petersburgu humbi finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa Çmimi i Madh i Formula 1 nuk do të mbahet në Sochi.
Rusia nisi sulmin ndaj Ukrainës nga toka, ajri dhe deti, të enjten, pas shpalljes së luftës nga presidenti Vladimir Putin. Rreth 100,000 njerëz u larguan nga shtëpitë, ndërsa shpërthimet dhe të shtënat me armë tronditën qytetet kryesore.
Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, zhvendosi finalen e Ligës së Kampionëve në stadiumin “Stade de France” në Paris, pasi mori mbështetjen nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Ndeshja ishte paraparë të luhej në Shën Petersburg më 28 maj, por pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, UEFA thirri mbledhje urgjente për të premten, ku edhe mori vendimin për këtë ngjarje të rëndësishme të futbollit evropian.
“UEFA dëshiron të shprehë falënderimet dhe vlerësimin e saj për presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron, për mbështetjen dhe angazhimin e tij personal që finalja më prestigjioze e futbollit evropian për klube të zhvendoset në Francë në një kohë krize të pashembullt”, thuhet ndër të tjera në vendimin e UEFA-s.
Ky vendim i UEFA-s nuk është pritur mirë nga Kremlini, që ka thënë se është një vendim politik, i cili nuk ka të bëjë asgjë me sportin.
Edhe
Organizatat sportive me hapa të tjerë për izolimin dhe dënimin e Rusisë
Pak kohë pas vendimit të UEFA-s, Rusisë iu mor organizimi edhe i një ngjarjeje tjetër. Formula 1 njoftoi se pas diskutimeve që ka pasur me skuderitë e saj, ka marrë vendim për të anuluar garën për Çmimin e Madh të Rusisë, që duhej të mbahej më 25 shtator në Sochi. F1 ka shtuar se po planifikon që garën e kësaj date ta zhvendosë në Turqi.
“Është e pamundur që të mbahet gara për Çmimin e Madh të Rusisë në rrethanat aktuale”, shkroi F1.
Pasi Polonia, Suedia dhe Çekia refuzuan të luanin ndeshjet e plejofit të Botërorit “Katari 2022” në Rusi,
UEFA tha se ndeshjet si vendas te klubeve dhe përfaqësueseve të Rusisë e Ukrainës do të luhen në vende neutrale deri në një vendim tjetër. Kjo mund të ndikojë te Spartaku i Moskës në Ligën e Evropës, që në 1/8 e finales do të përballet me Leipzigun. Skuadra ruse me short është caktuar që ndeshjen e kthimit muajin tjetër ta luante si vendase, por tani duhet të bartet në një vend tjetër.
Pesë ngjarje të skijimit në Kupën e Botës që ishin planifikuar të zhvilloheshin në Rusi këtë fundjavë dhe muajin e ardhshëm, janë anuluar ose zhvendosur nga Federata Ndërkombëtare e Skiijimit (FIS), për shkak të sigurisë dhe integritetit të garës.
“Pjesëmarrësit janë tashmë në vend për dy ngjarjet e Kupës së Botës që ishin planifikuar për këtë fundjavë dhe FIS po punon ngushtë me palët e përfshira për të siguruar kthimin e tyre të shpejtë në shtëpi”, shkroi FIS në njoftim.
Megjithatë ka organizata që hezitojnë t'i heqin Rusisë të drejtën e organizimit të ngjarjeve, me Federatën Ndërkombëtare të Volejbollit (FIVB) që tha se përgatitjet për Kampionatin Botëror të volejbollistëve, që do të mbahet në Rusi në muajin gusht, po vazhdojnë sipas planifikimeve.
“Ndërsa FIVB beson se sporti duhet të mbetet gjithmonë i ndarë nga politika, ne po monitorojmë nga afër situatën për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë pjesëmarrësve në ngjarjet tona. Ky është prioriteti ynë”, tha FIVB, që nuk zbuloi nëse do të ketë ndonjë sanksion për Federatën ruse të volejbollit.
EdheManchester Unitedi njoftoi së ka ndërprerë kontratën e sponsorizimit me kompaninë ajrore ruse “Aeroflot”, që u ndalua të fluturonte për në Mbretërinë e Bashkuar të enjten pas pezullimit të lejes. Ekipi finlandez i hokejit në akull, Jokerit, tha se po i jep fund sezonit në Ligën Kontinentale përpara ndeshjeve të plejofit, që luhen muajin tjetër. Jokerit është kualifikuar rregullisht në plejof, por klubi tha se pas ngjarjeve të fundit e ka të pamundur ta vazhdojë sezonin në ligën me bazë në Rusi.
Federata Ndërkombëtare e Tenisit ka gjithashtu ngjarje të planifikuara në Rusi dhe Ukrainë këtë vit. Kjo federatë tashmë e ka anuluar një turne që ishte planifikuar të zhvillohej në muajin prill në Rusi.