Organizatat sportive në të gjithë Evropën lëvizën të hënën për të izoluar dhe dënuar më tej Rusinë pas sulmit të saj ndaj Ukrainës, duke refuzuar të presin ose të luajnë kundër ekipeve ruse. Finlanda dëshiron që ekipit të Rusisë në hokej t’i ndalohet pjesëmarrja në Kampionati Botëror, të cilin do ta presë në muajin maj.
Federata e Futbollit e Zvicrës tha se ekipi i saj i femrave nuk do të luajë me Rusinë në korrik në Kampionatin Evropian dhe klubi gjerman i futbollit Schalke vendosi t'i japë fund partneritetit afatgjatë me gjigantin energjetik shtetëror rus “Gazprom”.
Sidoqoftë, vala e kundërshtimit ndaj ekipeve dhe sportistëve rusë nuk është shtrirë ende në një ndalim. As Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nuk i ka pezulluar Rusinë apo Bjellorusinë, e cila ka lejuar që toka e saj të përdoret për trupa dhe nisjen e sulmeve ushtarake kundër Ukrainës. FIFA, organi qeverisës i futbollit, deri më tani ka refuzuar të ndalojë Rusinë nga Kupa e Botës. Skuadra ruse, për të cilën FIFA tha se do të duhej të garonte si Unioni i Futbollit të Rusisë, ishte planifikuar ta priste Poloninë më 24 mars në ndeshjen e plejofit të botërorit “Katari 2022”. Por kundërshtarët e ardhshëm të mundshëm të Polonisë dhe Rusisë, Suedia dhe Çekia, kanë thënë se do të refuzojnë të dalin në fushë.
“Federata e Futbollit e Suedisë është e zhgënjyer me vendimin e FIFA-s, por është e vendosur të vazhdojë të punojë së bashku me federatat e tjera për të anuluar ndeshjet e Rusisë në kualifikimet e ardhshme të Kupës së Botës”, tha organi të hënën, duke përmendur “pushtimin e paligjshëm dhe thellësisht të padrejtë të Ukrainës”.
Kupa e Botës që mbahet këtë vit në Katar është planifikuar të fillojë më datën 21 nëntor. Në futbollin e klubeve evropiane, Spartak Moska është planifikuar të luajë javën e ardhshme në Ligën e Evropës kundër klubit gjerman Leipzig. UEFA lejoi Spartakun të ishte në shortin e 1/8 së finales të premten e shkuar, një ditë pasi Vladimir Putini urdhëroi sulmin ndaj Ukrainës. Ekziston një precedent për heqjen e ekipeve ruse nga sporti. Në vitin 1992, pas sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, FIFA dhe UEFA e përjashtuan Jugosllavinë nga garat e tyre kur shpërtheu lufta në Ballkan.
Përveç përpjekjes së Schalkes për të hequr “Gazpromin” si partner, UEFA gjithashtu pritet të shohë nëse mund të anulojë marrëveshjen e saj të sponsorimit me këtë kompani. “Gazprom” sponsorizon Ligën e Kampionëve dhe Kampionatin Evropian. FIFA ka tërhequr më shumë kritika në mesin e organeve sportive për lejimin e Rusisë që të vazhdojë të garojë, të paktën tani për tani, në plejofin e Kampionatin Botëror. E ka mbajtur të hapur opsionin e ndalimit.
Në vend që të ndalonte ekipin, FIFA u përpoq të bënte kompromis duke urdhëruar Rusinë të luante në vende neutrale pa flamurin dhe himnin e saj dhe nën emrin e federatës së saj - Unioni i Futbollit të Rusisë. Kjo përputhet me sanksionet e vendosura nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në dhjetor 2020 për të ndëshkuar Rusinë për doping të mbështetur nga shteti, masa që u aplikuan në Lojërat Olimpike të Tokios të vitit të kaluar dhe në Lojërat Dimërore të këtij viti në Pekin.
Përfaqësuesja e Rusisë në futboll tashmë duhej të luante në ato kushte nëse kualifikohej në Kupën e Botës për shkak të skandaleve të dopingut. Vendimi i FIFA-s për të zbatuar kushtet për një ngjarje sportive rajonale – ndeshjet kualifikuese evropiane - është elementi i vetëm i ndëshkimit për luftën.
Nëse Rusia do të luante me Poloninë siç ishte planifikuar më 24 mars dhe do të fitonte, atëherë do të përballej me Suedinë ose Çekinë më 29 mars. Presidenti i Federatës suedeze të futbollit, Karl-Erik Nilsson, i cili është gjithashtu zëvendëspresident i lartë në UEFA, tha se ai priste një "qëndrim më të ashpër" nga FIFA. Presidenti i Federatës së Futbollit të Polonisë, Cezary Kulesza, shtoi se është “krejtësisht e papranueshme” që FIFA nuk e ka përjashtuar menjëherë Rusinë nga kualifikimet e Kupës së Botës dhe tha se Polonia “nuk është e interesuar të marrë pjesë në këtë lojë të paraqitjeve”.
Një tjetër nga kundërshtarët e ardhshëm të Rusisë, Shqipëria, tha gjithashtu se nuk do të luante kundër rusëve në asnjë sport. Rusia dhe Shqipëria është planifikuar të takohen dy herë në qershor në turneun e futbollit të UEFA-s, Liga e Kombeve. Grupi përfshin gjithashtu Islandën dhe Izraelin. Në hokej, organi drejtues i sportit është nën presion nga Finlanda dhe Zvicra për të ndaluar Rusinë dhe Bjellorusinë, të cilat do të luajnë në Kampionatin Botëror në maj në Helsinki dhe Tampere. Kryetari i Federatës së Hokejit të Finlandës, Harri Nummela, tha në një deklaratë të hënën se kishte bisedime me Federatën Ndërkombëtare të Hokejit me bazë në Cyrih për të përjashtuar të dy vendet nga ky sport në nivel ndërkombëtar.