Drejtori sportiv i Trepçës, Izet Tahiri, ka dhënë detaje për tërheqjen e skuadrës mitrovicase nga parketi gjatë ndeshjes me Pejën. Ai ka thënë se ky veprim nuk është kundër Pejës, por ishin të shtyrë për shkak të sulmit ndaj lojtarit Rodney Purvis.
Purvis është prekur në kokë nga një tifoz pejan që kishte hyrë në parket. Më pas ka pasur tension te shikuesit, që kanë hedhur mjete ndezëse te njëri-tjetri e po ashtu në parket. Ndeshja vazhdoi pas zbrazjes së palestrës, ndërsa në fund fitoi Peja.
“Në emër të klubit them që nuk kemi asgjë kundër Pejës. Kërkojmë falje prej Bordit të Pejës për tërheqje. U tërheqëm pasi për herë të dytë rresht u sulmua lojtari ynë Purvis. Ai është sulmuar për herë të dytë nga i njëjti person, shikues apo zyrtar i Pejës, nuk e di”, ka thënë Tahiri.
“U kthyem në ndeshje vetëm për shkak të basketbollit. Pasi FBK dhe të gjitha ekipet janë duke e bërë maksimumin. Ne nuk mund ta ndalim zhvillimin e basketbollit për dy-tre persona.
Tani e bëjmë ankesën zyrtare. Me klubin Peja ne i kemi raportet shumë të mira, se çka bëjnë tifozët u takon atyre”, ka shtuar zyrtari i klubit mitrovicas.