Sport

“Plisat” dalin me sqarim pas incidentit në ndeshjen me Pejën

Grupi i tifozëve në përkrahje të Prishtinës “Plisat", kanë dalë me sqarim pas incidentit në ndeshjen me Pejën, në kuadër të xhiros së parë të Superligës në basketboll. Në deklaratën e publikuar të dielën, thuhet se “Plisat” nuk e kanë sulmuar asnjë lojtar.

Peja e ka fituar ndeshjen derbi të Superligës në basketboll ndaj Sigal Prishitnës, që u ndërpre në tre të qindtat e sekondës para fundit për shkak të hyrjes së tifozëve të Prishtinës në parket dhe vërsuljes ndaj lojtarëve të Pejës.

Basketbollisti i Pejës, Rodney Purvis, nguliti topin për rezultatin 76:70 dhe festoi në drejtim të tribunës ku ishin tifozët e Prishtinës. Njëri prej shikuesve, që ishte në afërsi, hyri në parket, iu vërsul, por nuk preku Purvisin.

Ndërkohë kishte të tjerë që tentuan të hyjnë në fushën e lojës e po ashtu hedhje të gjësendeve. Gjatë largimit nga parketi të lojtarëve të Pejës, të tjerë tifozë janë parë në parket.

“Me habi të madhe pas ndeshjes lexuam shkrimet nëpër portale se si ‘tifozët prishtinas paskan sulmuar lojtarët e Pejës’. Kjo nuk qëndron aspak dhe ‘Plisat’ dënojnë ashpër këto shpifje ndaj tifogrupit tonë. Përkundrazi, lojtarët e klubit mysafirë gjatë gjithë ndeshjes, gjithsej katër herë kanë provokuar drejtuar anës sonë, e kjo do të vërtetohet sapo të dalin pamjet zyrtare të ndeshjes. Kurse tollovia që është krijuar 3 sekonda para se të përfundojë ndeshja, është si shkak i kërcimeve në parket nga ana tjetër e koshit, nga zyrtarët e klubit pejanë. Kjo do të vërehet qartë në xhirimet e ndeshjes, sepse ata pastaj e marrin rrugën nga ana e tunelit për në zhveshtore. Theksojmë, ne kemi qenë gjithnjë kundër sulmeve ndaj lojtarëve, akterëve të fushës, dhe do të vazhdojmë të jemi”, shkruan në deklaratën e “Plisave”.