Sport

Tahiri i gatshëm për Lojërat e Pekinit, synon të jetë në mesin e 30 më të mirëve

Skitari Albin Tahiri insiston se është plotësisht i gatshëm për ta përfaqësuar Kosovën për herë të dytë në Lojërat Olimpike Dimërore.

Në ngjarjen që do të mbahet në Pekin prej 4 deri më 20 shkurt, Tahiri i ka synimet e qarta. 32-vjeçari synon të jetë në mesin e 30 më të mirëve dhe kështu ta përmirësojë rezultatin që e kishte katër vjet më parë në PyeongChang të Koresë së Jugut.

Në Lojërat e kaluara Dimërore, Tahiri ishte larg zonës së medaljeve dhe kështu pritet të jetë edhe në LOD “Pekini 2022”. Në sllallom ishte i 39-ti, në sllallom të madh i 56-ti, në Super G i 47-ti, në lëshim i 50-ti dhe në kombinim alpin i 37-ti.

“Kjo do të jetë hera e dytë që do të paraqitem në Lojërat Olimpike Dimërore. Gjithmonë e kam ëndërr të arrijë medaljen, por duhet të jemi realistë dhe nëse arrij në mesin e 30 top-skitarëve do të jetë rezultat i mirë. Pra ky është prioriteti”, ka thënë Tahiri të hënën për KOHËN. Ai po i kalon ditët në një hotel në Prishtinë, në prag të udhëtimit për në Kinë. Kontaktin me njerëzit e tjerë e ka minimal për të zvogëluar rrezikun e infektimit me koronavirus.

“Synimi është të kem rezultat më të mirë, sesa katër vjet më parë. Gjithmonë e synoj renditjen në mesin e 30 më të mirëve. Vitin e shkuar, në Itali, isha i 32-ti dhe jam shumë afër këtij synimi që shpresoj ta realizoj në Pekin”.

Në Pekin, Tahiri do të paraqitet në katër disiplina, një më pak se në PyeongChang.

Ai do të garojë sllallom, sllallom të madh, kombinim alpin dhe lëshim. Do të mungojë në Super G, disiplinë në të cilën nuk arriti ta fitojë normën për 30 të qindtat e sekondës.

Tahirit i vjen keq që nuk do të mund të paraqitet në pesë disiplina në Pekin, ndërsa shton se specialitet i ka garat e shpejtësisë.

“Kam planifikuar të arrij normën olimpike në të gjitha pesë disiplinat, por plani i parë ishte që të fokusohem në disiplinat e shpejtësisë dhe nëse dikush tjetër do të mund të shkonte në Olimpiadë, ku Arbi Pupovci ishte kandidati i dytë që synonte paraqitjen në sllallom dhe sllallomin e madh. Por për fat të keq, neve si shtet i vogël na lejohet të paraqitemi vetëm me një skitar dhe një skitare. Tani do të marr pjesë në disiplinat e shpejtësisë dhe ato teknike. Por, më shumë në stërvitje kam qenë i fokusuar në disiplinat e shpejtësisë dhe specialiteti im është lëshimi”, ka shtuar Tahiri.

“Gara për normë olimpike ka nisur para dy vjetësh dhe qysh atëherë kam filluar të bëhem gati dhe fokusin e kam pasur vetëm te Pekini. Dimrin e shkuar e arrita normën olimpike në Itali, ku i pata rezultatet shumë të mira. Vetëm në Super G nuk arrita të kualifikohem. Isha i pafat, por sporti e ka kështu”.

Tahiri në Pekin nuk do të jetë garuesi i vetëm i Kosovës, sikurse që ishte para katër vjetësh në Kore të Jugut. Për herë të parë Kosova në Lojërat Olimpike Dimërore do ta ketë edhe një skitare, 17-vjeçaren Kiana Kryeziu. Ajo do të paraqitet në sllallom të madh, ndërsa së bashku me Tahirin do ta bartin flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse.

Skitarët kosovarë do ta pranojnë flamurin e shtetit në premten nga presidentja Vjosa Osmani. Të shtunën do të marrin rrugën për në Pekin.

“Është shumë e rëndësishme që kemi dy garues. Kiana ka bërë historinë sikurse unë Olimpiadën e shkuar që isha skitari i parë nga Kosova. Tani ajo është skitarja e parë dhe kjo tregon se këtë herë nuk do të jem vetëm atje. Është arritje e madhe për Kianën”, tha Tahiri. “Ky është një start i mirë për gjeneratat e reja. Nuk besoj që do të kemi problem që Olimpiadën tjetër të kemi edhe ndonjë skitar tjetër. Problemi është se kuota jonë shtetërore aktualisht na lejon vetëm një skitare dhe një skitar, kështu që duhet të kemi rezultate më të mira për të dërguar më shumë skitarë. Shpresoj që në të ardhmen do të arrijmë të dërgojmë nga katër skitarë sikurse shtetet e mëdha”.

Përpara nisjes për në Kinë, Tahiri duhet të marrë rezultat negativ në dy testet PCR për koronavirus, që do t’i bëjë të mërkurën dhe të enjten. Një tjetër testim do ta bëjë në momentin që do të aterojë në Pekin, përpara se të transportohet në Fshatin Olimpik.

Skitari që jeton në Slloveni pranon se rregullat e vendosura nga organizatorët e Lojërave të Pekinit janë tejet strikte. Pjesëmarrësit çdo ditë do t’i nënshtrohen testimit të shpejtë për COVID-19.

Tahiri thotë se sfida është për të rezultuar negativ në testin për COVID-19 në këtë olimpiadë speciale, siç e quan ai.

“Kam biseduar me skitarët e tjerë dhe të gjithë janë të frikësuar se mund të dalin pozitivë, kështu që kjo është sfida më e madhe. Duhet të testohemi dhe të presim të dalim negativë pasi Pekini ka vendosur rregulla strikte dhe nuk do të lejojë raste pozitive. Nëse del pozitiv automatikisht karantinohesh dhe humb garën apo stërvitjen. Me sa jam i informuar, çdo mëngjes do të kemi teste që do të thotë se sfidë për mua është që të qëndroj negativ dhe pastaj të mendoj për garën. Dallimi është i madh me Olimpiadën e shkuar, për mua këto janë lojëra speciale dhe shpresoj për më të mirën. Shqetësimi im më i madh është që të mos dal pozitiv pasi jam bërë gati dhe nuk dua ta humb gjithë mundin vetëm për një test”, pranoi Tahiri, që tregoi për sfidat e përgatitjeve.

“Përgatitjet nuk ishin të lehta për shkak të situatës me virusin. Jam stërvitur i vetëm në Slloveni dhe Austri për shkak se skitarët e tjerë ishin në Kosovë. Jam munduar ta ndihmoj veten duke iu bashkuar ekipeve të tjera, në këtë rast Sllovenisë, ku më kanë pranuar si shok për shkak se jetoj atje dhe nënën e kam sllovene. Me duhej të bëja zgjidhje dhe të jem fleksibil”.

Kur pyetet për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2026, Tahiri e lë çdo mundësi të hapur. Thotë se deri atëherë ka ende kohë për të marrë një vendim. Ai ndihet krenar që po e përfaqëson Kosovën për herë të dytë në ngjarjen e madhe të sporteve dimërore.

“Nuk kam vendosur ende, pasi jam i fokusuar në këto lojëra, por do të shohim pasi nuk jam i ri. Nëse jam në formë të mirë do ta provoj. Por edhe nëse largohem, ka skitarë të tjerë të rinj që do të dalin pas meje, kështu që nuk ka nevojë për t’u shqetësuar”, u shpreh Tahiri. “Gjithmonë ndihem krenar me flamurin e Kosovës të cilin e barti me krenarinë më të madhe”.